Marrëveshja shumë e përfolur mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe e cila u nënshkrua më 3 gusht mund të jetë shkas që vetëm pas tre muajve të rrëzohet Qeveria e udhëhequr nga Drian Abazoviç, derisa seanca për mocionin e mosbesimit do të mbahet më 19 gusht në Kuvendin e Malit të Zi.
Parlamenti i Malit të Zi përbëhet nga gjithsej 81 deputetë, ndërsa për rrëzimin e qeverisë duhen vetëm 41 vota. Por, pavarësisht kësaj, Qeveria ka vendosur të mos zmbrapset.
Ministri për të Drejtat e Njeriut i Malit të Zi, Fatmir Xheka, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, thotë se kontrata mes Qeverisë dhe Kishës është kontratë si gjitha kontratat e tjera me bashkësitë fetare dhe se nuk do të ketë devijim të rrugës së Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
“Nuk qëndrojnë ato që po interpretohen kohën e fundit. Këto janë propaganda në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen edhe dy muaj në Mal të Zi. Kontrata me Kishën Serbe është një kontratë si kontratat e tjera fetare si me Bashkësinë Islame dhe Katolike. Nënshkrimi i kësaj kontrate u ka penguar atyre partive që e kanë përdorur politikisht Kishën”, tha Gjeka.
Por, ai e pranon se shqiptarët kanë të drejtë të dyshojnë kur është fjala për Kishën Serbe, duke e ditur se në vitet e 90-ta ka qenë e inkriminuar në atë çfarë ka ndodhur në Kroaci, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë.
“Dhe për këtë ndoshta Kisha Ortodokse Serbe shikohet me një rezervë të madhe. Por, në Mal të Zi ka të bëjë më një kontratë të thjeshtë dhe procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, shtoi Xheka.
“Kur është votuar Qeveria e tanishme e Malit të Zi të gjithë kanë qenë në dijeni për kontratën me Kishën Ortodokse Serbe”.
Xheka e ka mohuar se kontrata është nënshkruar fshehurazi dhe larg opinionit, përkundrazi madje.
“Opinioni nuk ka qenë i njoftuar për asnjë kontratë me asnjë bashkësi fetare, por vetëm për këtë me Kishën Ortodokse Serbe ka qenë më së shumti i njoftuar”.
“Kontrata ka qëndruar dy javë në web-faqe dhe kanë mundur ta lexojnë të gjithë”.
Ish-kryetari i Ulqinit i kundërshton zërat që thonë se marrëveshja mes Qeverisë dhe Kishës, e pengon rrugëtimin e Malit të Zi drejt futjes në Bashkimin Evropian.
“Kjo marrëveshje nuk ka fare të bëjë me anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. BE-ja as nuk e ka në agjendën e vet bashkësinë fetare, por i ka në agjendë kushtet për Malin e Zi dhe kapitujt 20 dhe 24, ku flitet për çështjet e drejtësisë dhe për ta kryer këtë na duhen 55 deputetë nga 81, do të thotë 2/3 e deputetëve”, shtoi ai.
Prandaj, sipas tij, për t’u bërë 54 deputetë, një pjesë e deputetëve e kanë kërkuar nënshkrimin e kësaj kontrate, për t’u barazuar me bashkësitë e tjera fetare në Mal të Zi.
“Nuk pres destabilizim të vendit, por mund të bie qeveria, mund të ketë zgjedhje të reja, por nuk do të ketë devijim të rrugës të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”.
A do të bie Qeveria Abazoviç?
Pesë parti parlamentare në Mal të Zi kanë dërguar iniciativën për rrëzimin e qeverisë më 19 gusht. Propozimi për mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Dritan Abazoviç u nënshkrua nga 36 deputetë për t’u iniciuar në procedurë parlamentare.
Megjithëkëtë, Xheka, sqaron se nuk e di nëse Qeveria do të bie, porse tregon se i ka në kokë katër variante se si mund të rrjedhin gjërat. Ai mendon se varianti i parë është që Qeveria të fitojë mosbesimin, i dyti të bie Qeveria dhe të formohet një tjetër, i treti të shkurtohet mandati i qeverisë dhe të shkohet në zgjedhje të reja.
“I katërti të bëhet një shumicë tjetër, ose një qeverisje teknike, por do ta shohim si do të rrjedhin ngjarjet”, pohon ministri për Albanian Post.
Por, ai potencon se edhe po të vije një kryeministër i ri, vështirë se do ta zhbëjë këtë marrëveshje.
“Për mendimin tim vështirë se Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe mund të ndryshohet, mund të ndodh vetëm nëse ka elemente antikushtetuese”.
Ai nuk pajtohet as me konstatimet se pas Marrëveshjes së Qeverisë me Kishën Serbe, Serbia do të ketë ndikim në shtetin malazez.
“Qeveritë e 30 viteve të fundit kanë gabuar që nuk kanë investuar në Kishë Malazeze por kanë investuar në Kishën Serbe. Njerëzit e shikojnë me rezerva Kishën Serbe duke e lidhur me ngjarjet e viteve të 90-ta. Serbia përmes kësaj kishe ka qenë brenda Malit të Zi qe 30 vite, nuk është e vërtet që sot do të futet”.
Ai në përfundim të intervistës për AP, ka folur shkurtimisht edhe për punën 100-ditëshe të Qeverisë, por edhe ka kundërshtuar zërat se kryeministri Abazoviç “është njeri i Vuçiç-it”.
“Abazoviç e rrëzoi qeverinë që ishte e lidhur ngushtë me Kishën Serbe vitin e kaluar. Ishte ai që Malit të Zi i dha shtytje në politikën e jashtme. Politika që e ka udhëhequr ka qenë pro perëndimore dhe evropiane. Ishte kryeministri i vetëm nga Ballkani që u ftua për ta vizituar Ukrainën”.