Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka vlerësuar homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan për mbështetjen ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.

“Sot zhvillova një bisedë të gjatë me presidentin turk, Erdogan. Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të presidentit Erdogan lidhur me integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë. Ne diskutuam për bashkëpunimin në sektorët e ekonomisë, energjisë dhe mbrojtjes”, tha Zelensky në një videomesazh.

Presidenti Erdogan vizitoi të enjten qytetin ukrainas Lviv, ku u takua me presidentin Zelensky dhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.

“Unë e vlerësoj ndihmën e Turqisë në projektin e rindërtimit të qytetit të Kharkivit dhe rrethinave. Një vend jashtëzakonisht i fuqishëm mund ta përfundojë këtë detyrë. Marrëveshja e infrastrukturës u nënshkrua sot, duke shënuar fazën e parë”, tha presidenti Zelensky.

Sipas presidentit ukrainas, kriza e ushqimit në botë filloi të përmirësohet pasi hyri në fuqi marrëveshja e eksportit të grurit, që u ra dakord në Stamboll nga Turqia, Rusia, Ukraina dhe OKB-ja.

“Rezultati është i qartë dhe jo vetëm për Ukrainën, por edhe për botën, pasi ashpërsia e krizës globale të ushqimit duket se po zbutet”, tha Zelensky.