Korça është zona që mban vendin e fundit në Shqipëri për numrin e ndërtimeve pa leje në përgjithësi, por edhe për numrin e pallateve të ndërtuara dhe të braktisura nga ndërtuesit. Kështu ka bërë me dije sot drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, i cili këtë fundjavë ishte në Korçë për të përfunduar procesin e legalizimit të një pallati të braktisur nga ndërtuesit. Bëhet fjalë për një pallat që gjendet në qendër të qytetit, përballë Bashkisë dhe që ishte ndërtuar që në vitin 2006. Në pamundësi për t’u mbyllur procedurat nga investitori, i cili i kishte braktisur punimet që menjëherë pas ndërtimit, banorët e kanë legalizuar nëpërmjet zgjedhjes së një administratori, i cili ka ndjekur procedurat me zyrat vendore të Kadastrës.
“Korça ka pasur vetëm dy pallate të tilla, ndërsa po të donim të bënim një krahasim, Tirana ka patur rreth 1100 pallate të tillë, ndër të cilët edhe raste që datonin që prej vitit 1996. Deri më sot, rreth 850 prej tyre e kanë përfunduar procesin e legalizimit”, tha Lame.
Sipas tij korçarët vazhdojnë të jenë ‘më të paaftit’ për të ndërtuar pa leje dhe kjo i bën nder këtij qyteti që respekton punën dhe ligjin. Lame nënvizoi se, si gjithmonë në këto raste, legalizimi u realizua përmes bashkëpunimit të ngushtë të banorëve me zyrën e Kadastrës. Administratori i pallatit theksoi se përveç bashkëpunimit me Kadastrën, atij i ishte dashur të mblidhte dokumentacionin nga secili prej banorëve, si edhe të bëheshin bashkë për të paguar detyrimet e përbashkëta.
Pallati i legalizuar këtë fundjavë në Korçë, ishte ndërtuar që në vitin 2006, ka 10 kate, dhe sipërfaqe ndërtimi rreth 6300 m2 dhe nga legalizimi i të cilit përfituan 62 familje, apartamente dhe njësi shërbimi. Me legalizimin e këtyre dy pallateve, Korça bëhet qyteti i parë në Republikë ku të mos njihet më fenomeni i shëmtuar i braktisjes së pallateve nga ndërtuesit, që bënte që banorët të mbeteshin në mëshirë të fatit pa dokumente pronësie.