Koreja e Veriut mëngjesin e së mërkurës ka lëshuar dy raketa detare në perëndim të qytetit bregdetar Onçon, thanë zyrtarë nga ushtria e Koresë së Jugut.

“Mëngjesin e sotëm, ne kemi detektuar dy raketa lundruese të lëshuara nga Koreja e Veriut në Detin Perëndimor nga Onço, në provincën e Pionganit Jugor”, tha një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes për AFP-në.

“Autoritetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut po analizojnë specifikat, sikurse është distanca e fluturimit të këtyre raketave”, shtoi ky zyrtar.

Lëshimi i këtyre raketave vjen teksa Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara nisën përgatitjet për stërvitjet e përbashkëta ushtarake që do të mbajnë nga 22 gushti deri më 1 shtator.

Koreja e Veriut ka pritur me zemërim njoftimin për këto stërvitje, pasi i konsideron si stërvitje për pushtim.

Koreja e Veriut nuk ka testuar raketa lundruese – që janë të ndaluara sipas sanksioneve që Kombet e Bashkuara kanë vendosur ndaj Phenjanit – që nga janari, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.

Herën e fundit që Koreja e Veriut kreu testime të armatimeve ishte më 10 korrik, kur testoi raketahedhës të shumëfishtë.

Koreja e Veriut ka kryer një seri testimesh që nga janari, përfshirë edhe lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi. Kjo ishte hera e parë që nga viti 2017 që Veriu testoi një raketë të këtij lloji.

Zyrtarët në Uashington dhe Seul kanë paralajmëruar se Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë atë që mund të jetë testi i shtatë bërthamor./R.E.L