Kryeministri Edi Rama dekoroi sot me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” Florian Markun me motivacionin: për përkushtimin e tij ndaj sportit, për vullnetin dhe ambicien për të ngritur gjithmonë lart flamurin shqiptar, duke u shpallur së fundmi kampion në kategorinë WBC Silver, për peshën welterweight, në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se: “ Rastësia e deshi që të mblidhemi në një kohë të shkurtër dy herë, për të celebruar suksesin ne sport mes një kampioneje të Europës si Luiza Gega dhe një kampioni si Floriani që po vazhdon ta ngjis drejt majës flamurin tonë. Nderimi ndaj Luizës u prit me shumë kontensime dhe mendime negative. Nuk është e vërtetë se Luiza ka vrapuar vetëm në Kenia pavarësisht se suksesi është vetëm i saj. Imagjinoni për një moment sikur nuk do të kishim bërë asnjë nderim, këta njerëz do thonin ja nuk kanë bërë asgjë, prandaj është më mirë të bëjmë atë që na mëson Luiza dhe shokët e saj, të vrapojmë e mos të vrasim mendjen për njerëzit negativë. Pak a shumë diçka e ngjashme ndodhi me celebrimin me Florianin, ndërkohë që sot ne jemi këtu për të celebruar një histori njerëzore të përbashkët me qindra mijëra shqiptareve, ku fëmijë të vegjël janë marrë prej prindërve të tyre në emigracion dhe sot po bëjnë sukses, dhe suksesi i Forianit bën lajm dhe lajmi i mirë është se ky sukses është kuq e zi.”
“Në aspektin ceremonial ne e kemi bërë dallimin, e kemi dekoruar Luizën me “Kordonin e Madh” si titulli më i lartë, pas tij vjen “Ylli i Madh”, i cili është një vlerësim i lartë që e kemi bërë për një sërë personalitetesh mes tyre edhe dy ambasadorë dhe sot e bëjmë këtë vlerësim për një ambasador të Shqipërisë, Florianin. Këtu bëhet fjalë për të nderuar një sportist i cili i ka arritur të gjitha ashtu siç i kanë arritur shumë emigrantë shqiptar dhe i cili na nderon të gjithëve si fitues në të gjitha ekranet më të mëdha sportive.
Është Floriani që e nderon këtë godinë me praninë e tij, ne jemi të nderuar që të ndajmë disa momente të tilla më këtë shqiptarë, dhe kështu ne përmirësohemi. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë për të gjithë ata që i sjellin Shqipërisë medalje” vijoi Rama.
Kryeministri tha gjithashtu se: “Sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, sot ka një sistem mbështetjeje dhe shpërblimesh për sportistët, miratuar më vendim qeverie kohë më parë dhe jo pikërisht tani që Luiza u shpall kampione Europe. Për vitin 2021 kanë përfituar 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre, ndërsa për vitin 2022 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre.”