Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka mbërritur në vendin tonë dhe është pritur me ceremoni zyrtare jashtë ambienteve të kryeministrisë. Kreu i qeverisë spanjolle është takuar me kryeministrin Edi Rama, ndërsa orën 11:00 do të mbajnë një konferencë e përbashkët për shtyp. Qëllimi i kësaj vizite zyrtare është përforcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe ekonomike me Serbinë, Bosnje-Hercegovinën , Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe mbi të gjitha për të treguar mbështetje për procesin e tyre të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Vizita e kryeministri spanjoll vjen në kuadër të një turi që ka zhvilluar në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, që përfshin Serbinë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë Veriut dhe Shqipërinë, por nuk ka vizituar Kosovën.
Në vizitën zyrtare në Serbi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, nuk kurseu komentet pozitive për Vladimir Vuçiç, ndërsa mbajti edhe një qëndrim që dihej prej kohësh për çështjen me Kosovën. Në deklaratën për mediat u shpreh se mbështesin dialogun Beograd-Prishtinë, por Spanja mban anën e Serbisë për çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Por, javë më parë ky shtet ka dhënë shenja pozitive në përkrahje për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ne jemi të bashkuar me bindjen e nevojës për të garantuar të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin sovran të shteteve. Ne mbështesim Serbinë në çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën”, tha Sanchez.