Kategoria Superiore e futbollit startoi me superndeshjen Kukësi-Tirana, që në fund prodhoi barazimin 1-1. Një pikë për të dy ekipet pretendente në këtë fillim të kampionatit, duke frenuar njëri-tjetrën.

Sfida nisi menjëherë me gol, Kukësi kalon në avantazh që në minutën e tretë. Top në thellësi për Dacin, i cili gjeti kohën dhe kalon topin mbi Bekajn që po dilte nga kuadrati. Tirana u përpoq që në pjesën e parë të vendoste ekuilibrat, por 45 minutat e para mbyllen 1-0.

Bardheblutë insistojnë edhe në të dytën dhe shpërblehen në minutën e 56-të. Pas një goditje nga këndi, topi shkon te Xhixha, i cili me gjuajtjen e tij me kokë çon sferën në rrjetë.

Situata për Kukësin do të komplikohej edhe më shumë në minutën 71’. Daci bën faull ndaj Isenit dhe më pas edhe godet lojtarin e shtrirë në tokë. Gjyqtari Jorgji nuk heziton t’i tregojë menjëherë kartonin e kuq. Autori i golit për Kukësin lë të tijtë me 10 vetë.

Por pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, nuk ka fitues mes tyre, duke ndarë nga një pikë.