Ai ishte në numrin 244 në listën e 1 mijë e 331 personave të sanksionuar, si “autor i profilit të lartë i dezinformatave për Ukrainën dhe pushtimin rus të Ukrainës në platforma të ndryshme online”, si dhe përgjegjës për mbështetjen dhe promovimin e politikave apo nismave për destabilizimin e Ukrainës për të kompromentuar ose kërcënuar “integritetin, sovranitetin dhe pavarësinë e saj territoriale”.
Darya Platonova Dugina, e bija e ideologut euroaziatik Aleksandr Dugin, e cila vdiq nga shpërthimi i makinës me të cilën po udhëtonte pranë kryeqytetit rus, ishte 30 vjeç. E diplomuar në filozofi nga Universiteti Shtetëror i Moskës, ajo kishte thelluar studimet e saj për neoplatonizëm, por gjithashtu mbante si referenca kulturore të saj edhe Antonio Gramsci-n, Martin Heidegger dhe sociologun francez Jean Baudrillard.
Më 4 qershor ajo gjithashtu u përfshi në listën e personave të sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (në të njëjtën listë me Roman Abramovic) për mbështetjen ose promovimin e politikave në favor të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Absolutisht në të njëjtat pozicione si babai i saj, në një intervistë të fundit, të lëshuar majin e kaluar për gazetën online “Geopolitika.ru”, ajo foli për agresionin rus kundër Ukrainës. “Situata në Ukrainë është vërtet një shembull i një përplasjeje qytetërimesh”, do të thoshte Darya Dugina. “Ajo mund të shihet si një përplasje mes qytetërimeve globaliste dhe euroaziatike”, vazhdoi.
“Pas katastrofës së madhe gjeopolitike (siç e përcaktoi presidenti rus rënien e BRSS-së), territoret e ish-vendit të bashkuar janë bërë “kufij” (zona të ndërmjetme) – ato hapësira mbi të cilat është rritur vëmendja e fqinjëve, me NATO-n dhe mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara të interesuara për destabilizimin e situatës në kufijtë e Rusisë”, deklaroi Dugina.
Ajo shtonte se “Nëse elitat liberale perëndimore këmbëngulin kaq shumë në mbështetjen e Kievit dhe demonizimin e Moskës, kjo është sepse ka një logjikë fitimi pas saj. Gjithçka duhet të vihet në dyshim. Ky është një parim i rëndësishëm që na lejon të jemi të kthjellët. Në shoqërinë e spektaklit, propagandës dhe natyrës totalitare të sistemeve perëndimore, dyshimi është një hap thelbësor për të dalë nga shpella…”.
Aleksandr Dugin, 60 vjeç, është një filozof rus i njohur për pikëpamjet e tij anti-perëndimore, të ekstremit të djathtë dhe “neo-Euroazian”. Vitet e fundit ai është cilësuar nga mediat perëndimore si një nga frymëzuesit e politikës së jashtme të Vladimir Putin-it, ndërsa shtypi rus e konsideron atë një “figurë margjinale” për pikëpamjet e tij “të konsideruara tepër radikale edhe nga nacionalistët”.
“Në vitin 2014”, raportoi media ruse “Russia Today” “ai u pushua nga Universiteti Shtetëror i Moskës pas apelit të tij për të “vrarë, vrarë, vrarë” ukrainasit pas trazirave të 2 majit në Odessa, në të cilat grupet neo-naziste dogjën të gjallë më shumë se 40 pro-rusë.
I quajtur “figura gri e Kremlinit”, “truri i Putinit” ose “dora e djathtë” e presidentit rus, “forca lëvizëse” e politikës së tij të jashtme ose “Rasputini i Putinit”, duke iu referuar mistikut Grigorii Rasputin, i cili kishte një ndikim të fortë mbi Carin Nikolla II të Rusisë, Dugin, i lindur në Moskë në 1962, nga një nënë mjeke dhe baba agjent i KGB-së, themelues me Eduard Limonov i Partisë Kombëtare Bolshevike, duket se ka depërtuar veçanërisht në qarqet ushtarake. Tekstet e tij përdoren si manuale në akademitë e forcave të armatosura.
Udhëton shpesh në Iran dhe është ai, i cili ishte në Ankara gjatë tentativës për grusht shteti të vitit 2016 dhe dyshohet se orkestroi afrimin e Vladimir Putin me Turqinë, pajtimin me Recep Tayyep Erdogan, presidentin turk, pas rrëzimit të dy avionëve rusë të angazhuar në Siri.
Kështu të paktën thotë Dugin. Në qendër të mendimit të tij, krahas luftës kundër liberalizmit, është Euroazia. Një pakt ruso-islamik, një perandori tokësore e udhëhequr nga Rusia, e shtrirë në Iran, Turqi dhe Evropën Lindore: ky është misioni i qytetërimit rus, ideja që do të justifikonte ambicien e Moskës për t’u kthyer në tokat ish-sovjetike, nga Balltiku në Detin e Zi dhe për të rivendosur sundimin mbi popullsitë jo-ruse. Për të arritur më pas në Lindje – në Mançuri dhe Tibet, Mongoli dhe Oqeanin Indian. Ndoshta ndoshta me synim krijimin e një protektorati mbi Bashkimin Evropian.
Gjatë aneksimit të Krimesë në vitin 2014, duke folur në televizionin shtetëror, Vladimir Putin përdori vazhdimisht shprehjen “Novorossiya”, Rusia e Re, për t’iu referuar zgjerimit natyror të Federatës edhe në ato territore që zyrtarisht i përkisnin Ukrainës, por që Moska pretendonte se ishin të sajat me të drejtë, për shkak të historisë dhe përbërjes demografike, ashtu sikurse Donbass.
Kjo është një shprehje e përdorur edhe nga filozofi Aleksandër Dugin, duke e huazuar në frymën e terminologjisë imperialiste gjatë epokës cariste.