Nga Adriatik Doci

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, që të fokusohet në shqyrtimin e ankesave të qytetarëve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk kanë kaluar ende në procesin e Vetingut. Disa prokurorë dhe gjyqtarë, të vetëdijshëm se do të shkarkohen nga Komisioni i Vetingut, po bëjnë kërdinë në gjyqësor me vendime abuzive, arbitrare dhe korruptive, deri kur të thirrjen nga Komisioni i Vetingut për t’u njohur me dosjen e verifikimit të tyre. Kjo kategori magjistratësh konsiderohen ndryshe edhe si gjyqtarët dhe prokurorët KÇK (kap ça të kapësh).

Shumica e tyre ndjekin të njëjtën strategji, ku japin dorëheqjen nga sistemi sapo Komisioni i Vetingut t’i njohë me dosjen e verifikimit, duke u kaluar barrën e provës për konstatimet rreth pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Për disa gjyqtarë dhe prokurorë të shkallës së parë, procesi i verifikimit ka nisur që në fund të vitit 2019 dhe ende nuk janë njohur me dosjen e verifikimit. Subjektet vijojnë të marrin vendime të diskutuara dhe të denoncuara si abuzive, shpeshherë me pasoja tragjike, sidomos në lirimin e burrave që kanë vrarë më pas bashkëshortet, apo të figurave të krimit që të cilët janë eliminuar fizikisht më pas apo kanë kryer krimet të tjera të rënda.

Në këtë rrethana, përmes një rezolute për veprimtarinë vjetore të ILD për vitin 2021, Kuvendi i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që gjatë vitit 2022 të fokusohet tek ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK. Në këtë mënyrë, ILD-ja mund t’i kërkojë LGJ-së apo KLP-së shkarkimin nga detyra të një gjyqtari apo prokurori abuzues, para se të dalin para Vetingut.

Kuvendi i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë trajtimin me prioritet të të gjitha rasteve të konfliktit të interesit që mund të ndeshen gjatë aktivitetit të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkelejda Hoxha, gjyqtarin Roland Hysi, gjyqtarin Kliton Spahiu dhe gjyqtarin Markelian Kuqo, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me kërkesë të ILD, ka shkarkuar prokurorin Bujar Memia dhe prokurorin Shkëlqim Kokona./Shqiptarja.com