Shtëpitë e rindërtuara në lagjen e re në Zall-Herr janë thuajse në përfundim dhe në shtator do të jenë gati të presin 49 familjet e prekura nga tërmeti.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale një fotogaleri nga kjo lagje e re e cila tashmë është një hapësirë e urbanizuar me të gjitha shërbimet e nevojshme për komunitetin.

“Mirëmëngjes dhe me lagjen e re në Zall Herr të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama. Në këtë njësi administrative deri më tani janë strehuar në shtëpi të reja 150 familje të prekura nga tërmeti. Tashmë e gjithë zona do të marrë një vlerë të shtuar, falë investimit që po bëhet. Lagjja e re në Zall Herr ka rrugë të shtruara, kanale kulluese, sistem grumbullimi të plehrave, ndriçim LED, një park dhe një qendër komunitare.