I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka një agjendë të ngjeshur sot dhe nesër gjatë vizitës që do ta bëjë në Kosovë e Serbi.

Nga Brukseli kanë konfirmuar se Lajçak në Prishtinë, takon presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, liderët e partive opozitare dhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi i fundit mëtohet të zhvillohet në Mitrovicë.

Ndërkohë në Beograd, Lajçak ka takim me presidentin Aleksander Vuçiç, e drejtorin e të ashtuquajturës zyra qeveritare serbe për Kosovën, Petar Petkoviç.

Nga zyra e BE-së në Bruksel kanë thënë se ky mision i emisarit bëhet “në mënyrë që të avancohet drejt një zgjidhjeje të pëlqyeshme reciproke për të shmangur tensionet e reja në terren”.

Në krejt këtë agjendë, Lajçak do të shoqërohet nga homologu amerikan, Gabriel Escobar, që është i dërguar special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

Vizita e tyre vjen pas rritjes së tensioneve mes Kosovës e Serbisë për shkak të reciprocitetit me dokumente e targat e makinave që duhet të konvertohen nga ato që i lëshon Beogradi KM, PR e të tjera te ato që jepen nga institucionet kosovare RKS, njofton Klan Kosova.
Më 18 gusht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, biseduan për orë të tëra në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së por një marrëveshje nuk u arrit.