Në fshatin Xhan të Njësisë Administrative Pult, bashkia Shkodër, u vendos një lapidar në nderim të 14 dëshmorëve të Xhanit.

Bijtë e kësaj zone dhanë jetën e tyre në mbrojtje të trojeve nga pushtimi malazez dhe në përballje me regjimin komunist.

Në ceremoninë përkujtimore dhe të nderimit të tyre, morën pjesë familjarë, drejtues të shoqatës së të përndjekurve politik dhe administratori i Pultit, Tom Marku.

“Nikë Çuni, Gjergj Maçi, Mitër Keçi, Pllum Gjoni, Pal Pllumbi, Nikollë Mirashi, Kolë Vata, Ndue Prela, Mark Zefi, Pal Vata, Pllum Sokoli, Shytan Deda, Prenash Zefi dhe Tomë Martini do të nderohen përjetë nga Dukagjini dhe Shqipëria”, thuhet në një postim të bashkisë Shkodër.

Ata e shkruan emrin e tyre me lavdi në mbrojtje të atdheut, me binomin e pandarë që i udhëhiqte “Fe e Atdhe”.

Me ardhjen e Demokracisë dhe vendosjen e pluralizmit politik në vend, 9-të viktimat e Xhanit, të pushkatuar pa gjyq në Qafë Thanë, u dekoruan “Martirë të Demokracisë”.