Kryeministri Edi Ram është prezantuar sot me ambasadoren e re të BE-së në vendin tonë, Christiane Hohmann, nga Gjermania. Rama tha se e ka ftuar ambasadoren që të marrë pjesë në festimet për Luiza Gegën, pasi ky është një rast i veçantë se jo gjithmonë i ndodh Shqipërisë të mund Gjermaninë.

“Të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti, më vjen mirë që rastësia e deshi që unë të prezantohesha edhe me ambasadoren e BE në Shqipëri që i kërkova të qëndrojë për të kremtuar një kampione europiane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë mbrapa Gjermaninë. Gjermania sot në këtë sallë, është e dyta pas Shqipërisë”, tha Rama.

Luiza Gega është kampionia e re e Europës në atletikë. Shqiptarja ka bërë një paraqitje brilante në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kohën në 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qintat. Si rezultat i kësaj paraqitje Gega la pas gjermanen Meyer, e cila kishte edhe mbështetjen e publikut duke qenë se kampionati europian zhvillohet në Mynih.