Luiza Gega, kampionia më e re e Europës në atletikë në garën 3000 m me pengesa, ende i ruan emocionet e finales së një nate më parë. Në një intervistë për Report Tv, me gazetarin Arbër Hitaj ajo tha se ndihet shumë e lumtur për këtë arritje dhe shumë krenare që përfaqëson Shqipërinë.
‘Ishte një emocion shumë i madh! Konkurrentët kryesorë ishin shumë të përgatitur dhe unë i kam studiuar dhe jam munduar që të bëj një garë taktike. Po ashtu gjatë gjithë kohës ndoqa këshillat e trajnerit. Më ndihmoi gjatë të gjitha xhirove për të arritur më shpejt se të tjerët atë vijën e finishit. Është i rëndësishëm medalja dhe pozicioni! Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e vlerësuar dhe jam shumë krenare që jam shqiptare dhe që përfaqësoj këtë komb! Mund t’i kemi gjërat më të vështira sesa shtete e zhvilluara, por gjithsesi dhe pse në vështirësi nëse e do vërtetë atë që bën dhe je i durueshëm mund t’ja dalësh! Jam shumë krenare. Ka shtete që vijnë me 30 sportistë dhe nuk marrin medalje ari. Jam ndjerë shumë e vlerësuar dhe nga komentet e shteteve të huaja. Akoma i kam emocionet. Jam më mirë se kurrë më parë.’- u shpreh rekordmenia Luiza Gega.
Kampionia shqiptare tha se i është dashur të bëjë shumë sakrifica për të arritur këto rezultate, por në fund të fundit sakrifica ja ka vlejtur.
‘Më është dashur që të lë një jetë normale, pikërisht për këtë. Por vërtetë e dua këtë që bëj dhe ndihem shumë krenare që përfaqësoj gjërat kuqezi jashtë. Edhe familjarët e mi i takoj shumë rrallë, dhe po sakrifikoj shumë për rezultatet që kam. Asgjë e madhe nuk vjen lehtë.’- u shpreh atletja shqiptare.
Rekordmenia shqiptare tha se objektivat e ardhshme do ti vendosë bashkë me trajnerin, duke rikujtuar se ka pasur një vit të suksesshëm.
‘Kam pasur vit të suksesshëm, do të ulem me trajnerin dhe do të vendosim objektivat e radhës për vitin që vjen.’- tha atletja Luiza Gega.