Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka reaguar për të parën herë mbi ngjarjen tragjike që ndodhi në Himarë mesditën e 2 gushtit, kur një vajzë 7-vjeçare u përplas nga një skaf dhe humbi tragjikisht jetën.
Ngjarja ka shkaktuar revoltë të madhe në opinionin publik, për më tepër që autori është një oficer i Policisë së Shtetit, tashmë i pezulluar nga detyra deri në një hetim të plotë të ngjarjes.
“Tejet e rëndë dhimbja për ngjarjen e kobshme në bregdetin e Himarës, ku një engjëll nuk është më mes nesh për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, çdo rregull e çdo normë me pasoja tragjikisht të pakthyeshme!”, e nis Kumbaro reflektimin e saj.
Ministrja më tej, vijon duke thënë se nuk ka fjalë që shërbejnë si ngushëllim për rastin. Por, kërkesën e vetme, e ka për drejtësinë, e cila sipas saj duhet të veprojë pa asnjë kompromis, me dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjin dhe rregullat, duke rrezikuar jetët e të tjerëve.
“Kërkesa shkon edhe për Policinë e Shtetit po ashtu”, vijon ajo më tej, “për çdo punonjës të saj në territor, që të jetë në lartësinë vigjiluese dhe ndëshkuese që uniforma i imponon për kryerjen e detyrës”.