Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka gjetur të pabazuara shkaqet e ngritura në ankimin e ish-prokurorit të Krujës, Bujar Memia kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për shkarkimin e tij.

Memia pretendoi në Kolegj se nuk i ishte ofruar proces i rregullt ligjor dhe i kundërshtoi konstatimet për shkeljet në ushtrimin e detyrës.

Bujar Memia u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 31 mars 2021 me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të qëndrimit të tij pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin nga burgu të dënuarve për vepra të rënda penale, Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor 2020.

Për të njëjtat çështje, KPA la në fuqi edhe shkarkimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, e cila u dënua dhe me 2 vjet burg në një proces penal për akuza të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Kërkesat procedurale

Kolegji e rrëzoi kërkesën e Memisë të paraqitur në seancën e datës 17 shkurt 2022, lidhur me moskompetencën e kësaj gjykate për shqyrtimin e masave disiplinore ndaj magjistratëve.

Po ashtu, u rrëzuan edhe kërkesa të tjera të paraqitura në seanca, përfshi edhe ato në seancën publike të 9 majit 2022, kur në fund Memia kërkoi pezullimin e gjykimit deri në përfundimin e procesit të rivlerësimit pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK; përjashtimin e kryesueses së trupit gjykues, gjyqtares Albana Shtylla; kërkesë për t’u mbrojtur me tjetër avokat; si dhe shtimin e objektit të ankimit.

Kolegji vlerësoi se ato kërkesa kanë pasur si qëllim zvarritjen e procesit të gjykimit dhe vendosi të mos i pranojë.

KPA nuk ka gjetur të bazuar edhe pretendimin e Memisë, se vendimi i KLP-së është marrë në cënim të procesit të rregullt ligjor dhe parimit të sigurisë juridike.

Kolegji vlerëson se në tërësinë e tij, nga ana e KLP-së janë respektuar standardet dhe elementet e një procesi të rregullt ligjor, pasi Memia është dëgjuar në një seancë publike, ku dhe ka paraqitur mbrojtjen dhe provat e tij. Sipas KPA-së, kjo vendimmarrje është në harmoni dhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Lirimi i të dënuarve

Lidhur me çështjen për Ilir Pajën, për të cilin Gjykata e Krujës vendosi aplikimin e dënimit alternativ “qëndrim në shtëpi”, KLP-ja ka arritur në përfundimin se gjatë procesit gjyqësor nuk është paraqitur nga prokurori Memia kërkesë për prova dhe as është administruar një provë vendimtare për zgjidhjen e çështjes, që kërkonte vlerësim të posaçëm nga ekspertë të fushës.

Ndërsa mosushtrimi i ankimit është vlerësuar se ka sjellë shmangien e vendimarrjes së gjykatës nga kontrolli. Memia ka pretenduar në ankim se vetë dispozita ligjore nuk kërkon kryerjen e një akti ekspertimi mjeko-ligjor për zbatimin e masës alternative të “qëndrimit në shtëpi”.

Ashtu si ILD dhe KLP, edhe KPA çmon se Memia ka kryer shkelje procedurale që konsistojnë në qëndrimin e mbajtur në seancë gjyqësore; konkretisht në mosparaqitjen e pyetjeve në mënyrë të plotë dhe ezauruese, drejtuar përfaqësuesit të IEVP-së; si dhe për mosparaqitjen e kërkesave procedurale për marrjen e provave vendimtare për zgjidhjen e drejtë të çështjes. “Magjistrati nuk duhet të ishte mjaftuar vetëm me provat e paraqitura nga i dënuari, por duhet të kishte bërë kërkesa për të evidentuar fakte të drejta lidhur me gjendjen shëndetësore të të dënuarit”, vlerëson KPA.

Po ashtu, është gjetur i pabazuar pretendimi i Memisë, se në momentin kur ai ka përfaqësuar prokurorinë, kishte kaluar momenti procedural për kryerjen e kërkesës për marrjen e provave.

Kolegji vëren se nuk kishte kaluar kjo fazë procedurale, pasi në të njëjtën seancë, avokati i kërkuesit ka paraqitur si provë të re dinamikën e vuajtjes së dënimit dhe Memia ka qenë dakord me administrimin e tyre.

Memia ka pretenduar se është njohur me vonesë me një udhëzim të drejtuesit të prokurorisë, ku konstatohej se nevojitej të kryhej ankim ndaj vendimit të gjykatës.

Bazuar në këtë qëndrim të Memisë, Kolegji vlerëson se ky është një fakt tjetër provues që përforcon argumentin se ankimi duhej të ishte kryer brenda parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale dhe jo të vlerësohej vetëm mbështetur në bindje të brendshme.

“Prokurori fillimisht është mbrojtës i interesit publik dhe përfaqësues i akuzës në procesin penal. Në qoftë se bëhet një vlerësim i përgjithshëm i të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të kryera nga magjistrati, të krijohet bindja se qëndrimi i magjistratit ka qenë pasiv dhe jo konform detyrave të përcaktuara për prokurorin e çështjes,” konkludon KPA dhe vlerëson se pjesëmarrja e prokurorit formalisht në seancë nuk mund të jetë provë për rolin aktiv të magjistratit.

Në rastin e lirimit të Hekuran Billës, Kolegji vlerëson se Memia, me veprimet e tij, ka pranuar që në fillim të seancës kërkesën e të dënuarit për njohjen e kohës së paraburgimit, në shkelje të ligjit dhe në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare që rregullojnë këto marrëdhënie.

“Magjistrati, në këtë rast, nuk ka bërë dallimin mes të pandehurit dhe të dënuarit. Qëndrimi i prokurorit në seancë gjyqësore ka qenë tërësisht pasiv dhe i dakordësuar me kërkimet e të dënuarit, pasi nuk rezulton që të ketë shtruar për diskutim asnjë çështje ligjore lidhur me objektin e kërkesës dhe nuk ka argumentuar në asnjë moment se pse është dakord për pranimin e kësaj kërkese, duke e humbur rolin e prokurorit si përfaqësues i një organi që ka si qëllim mbrojtjen e interesit publik”, vlerëson Kolegji dhe shton se mosverpimi i Memisë për kryerjen e ankimit ka sjellë pasojë përfitimin e padrejtë të uljes së kohës së burgimit për Billën.

E njëjta situatë është paraqitur edhe në vendimarrjen për njohjen e amnistisë për Billën, nga ka rezultuar se Memia nuk ka paraqitur qëndrim dhe ankim, megjithëse Gjykata e Krujës ka konkluduar në kundërshtim me ligjin “Për amnistinë”.

Në vijim, KPA konstaton se Memia ka pasur dijeni për kronologjinë e uljes së dënimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë për Hekuran Billën dhe se ai ka qenë dakord me kërkesat e të dënuarit.

“[Sa i përket] pretendimit të magjistratit se ushtrimi i ankimit lidhet me bindjen e brendshme të tij, Kolegji vlerëson se koncepti i ‘bindjes së brendshme’ të magjistratëve është i lidhur vetëm me interpretimin e ligjit në kontekstin e fakteve dhe provave të një çështjeje të caktuar,” arsyeton Kolegji dhe shton se magjistrati mban përgjegjësi disiplinore për mënyrën e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit

Në përfundim, KPA çmon se veprimet dhe mosveprimet e ndërmarra nga ana e ish-prokurorit Memia përbëjnë “shkelje të rënda profesionale” dhe nuk e ka pranuar ankimin e tij duke lënë në fuqi shkarkimin. Reporter.al