Qeveria mbështet prodhimin e grurit në vend. Përmes subvencioneve fermerët përfitojnë mbështetje për të ulur kostot e prodhimit.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural njofton se, më 1 shtator hapet thirrja për mbështetjen nga Skema Kombëtare të mbjelljeve të reja të grurit.
Sipas AZHBR-së, aplikimet kryhen online në e-Albania.
“Mbështetja për kultivimin e grurit, për sipërfaqe të mbjellë është për jo më pak se 1 HA, në vlerë 30.000 lekë/HA. Përfitues për masën mbështetëse 7/1 mund të jenë fermerë individual, persona fizik, juridik, Shoqata të Bashkëpunimit Bujqësor. Aplikimi do të bëhet online nga data 01.09.2022 ora 08:00 deri në datën 23.09.2022 ora 22:00”, njofton AZHBR.
Ndërkohë ekipi i bujqësisë është në terren për të informuar fermerët në lidhje me udhëzimet dhe kriteret që duhen ndjekur për përfitueshmërinë dhe mënyrën e aplikimit për masën e re të mbështetjes së mbjelljeve të reja të grurit me pagesa që do të kryhen brenda këtij viti.