Nga Jakin Marena
Opozita shqiptare nuk është aq e bashkuar sa po përpiqen ta promovojnë vetë lidererët opozitarë dhe mbështetësit e saj në media, panelet televizive apo dhe zëra të ndryshëm në publik.
Dhe kur themi opozita shqiptare, fjala është për kreun e PD Sali Berisha dhe atë të Partisë së Lirisë, ish presidentin Ilir Meta, të cilët dominojnë dhunshëm këto formacione politike. Por që kanë edhe kompleksin e ndërvartësisë ndaj njëri tjetrit, dhe janë të lidhur me një mijë fije të pazgjidhshme, që gjithsesi janë tepër delikate dhe të cënueshme.
Mungesa e besimit reciprok si dhe rastet kur ia kanë punuar prapa krahëve njëri tjetrit në sezone të ndryshme politike gjatë këtyre 32 viteve, apo momente zgjedhjesh dhe lëvizjesh të tjera kyçe politike, i ka bërë që të kenë të dy paranojën e tradhëtisë dhe “pusisë” politike mes tyre.
Historia politike e dy “dinozaurëve” të politikës shqiptare e ka treguar më së miri këtë, në 32 vitet e lidhjes së tyre politikë, ku herë janë afruar e herë janë larguar. Por gjithnjë pa shkëputur fijet e padukshme dhe të nëndheshme që i lidhin, zanafilla e të cilave është shumë e hershme.
Ndonëse kanë qënë të detyruar të realizojnë “luhatje” të tilla politike, të dakordësuara për të ruajtuar fshehtësinë e bashkëpunimit të nëndheshëm mes tyre, Berisha dhe Meta kanë treguar se për shkak se në “ADN”-në e tyre politike kanë frustimin për të kaluarën, njëri ish komunist dhe me probleme me Sigurimin shqiptar dhe atë ish jugosllav UDB dhe tjetri me Sigurimin e Shtetit, i kanë bërë që në momentet e acarimit të nisur me “leje”, herë herë të kalojnë edhe masën.