Nga Jakin Marena

Ish presidenti dhe kryetar i Partisë së Lirisë Ilir Meta, pasditen e djeshme është shfaqur tërësisht jashtë formatit normal të një politikani, por brenda formatit të tij si një politikan në hall të madh.

Nuk ka lënë kërcënim pa bërë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur vagabond, abuzues me paratë e shtetit dhe mbi të gjitha e akuzoi për betonizimin e kryeqytetit, që sipas Metës i ka zënë frymën Tiranës, duke e bllokuar e katandisur në një zonë me mbindotje.

Nuk po ia vëmë në “kandar” Metës shpërthimet e shpeshta, teksa i kërkon si një adoleshent i vonuar Edi Ramës që të përballet me të, pasi do ta “këpusë në mes”. Madje i thotë se do t’i bjerë vetë atij jo të paguajë të tjerët, pasi i thonë “Ilir Rexhep Metaj” atij, që i bie më të fortit sepse ka lindur në lartësinë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit.

Të gjitha këto deklarata i dëgjuan shqiptarët live një ditë më parë dhe është e bezdisshme për lexuesin ndoshta që të ripërsëriten sërish, por ajo që ka rënë në sy menjëherë është fakti se Meta ka folur si Berisha teksa ka përsëritur refrenin “jam Ilir Rexhep Metaj unë”. Vetëm emrin ka ndryshuar nga deklaratat e herë pas hershme të kreut të PD që mburrej në mes të Parlamentit se “jam Sali Berisha unë”.

Teksa ka bërë si i fortë, duke iu drejtuar Ramës se “përse më bën mua si i fortë ti”, dhe përsëritur deklaratat e Doktorit, i ka dërguar Berishës një mesazh të koduar se ai, pra Meta(j) është personi më adapt për të drejtuar opozitën dhe për t’u përballur me Ramën e për ta “këputur në mes atë” duke i rënë direkt me të parën, dhe rrëzuar nga pushteti.

Eshtë një kërkesë këmbëngulëse e Ilir Metës kjo, fillesat e të cilës datojnë që para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku deklaronte se pas dorëzimit të mandatit të Presidentit do të jetë i detyruar të marrë drejtimin e opozitës, pasi me këtë lidership që ka nuk i bën asgjë Edi Ramës, i cili qëndron sa të dojë në pushtet.

Por me sa duket deri më tani llogaritë nuk i kanë dalë, Berisha po reziston fort për të qëndruar ai në rolin e “primatit” të opozitës. Madje dhe duke e lënë jashtë lëvizjeve të tij politike Metën, por dhe duke i futur “spicat” dhe duke i rikthyer paranojat më të tmerrshme, ato “të futjes prapa krahëve”, e materializuar me fiksimin e Metës se është Berisha ai që i ka dekonspiruar dosjen e Sigurimit të Shtetit te Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, gjë që po përdoret fort jo vetëm nga mazhoranca e Edi Ramës por dhe nga një pjesë e PD, ajo që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Ku përmes disa ndryshimeve ligjore për verifikimin e figurës së politikanëve e zyrtarëve, dhe atë të dekomunistizimit, pritet që t’ju ndalohet kategorikisht ish Spiunëve të Sigurimit të Shtetit që të hyjnë në Parlament apo të marrin një post shtetëror.

I gjendur në këtë situatë, me paranojën se të gjithë janë kundër tij për ta nxjerrë nga politika, Ilir Meta po ushtron një presion të fortë ndaj Sali Berishës që të marrë drejtimin e opozitës dhe këtë drejtim ai po mundohet ta kanalizojë dhe nga ëndrra e tij e kahershme për të garuar për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në emër të opozitës së bashkuar.

Dhe sinjalet që e dëshiron këtë garë për kryeqytetin ka kohë që po i jep, por që i ka intensifikuar shumë këto ditët e fundit, ku gjithë fokusi i gjithë goditjeve të Metës ndaj mazhorancës është përqëndruar në Tiranë.

Ia vlen të nënvizojnë në krye të herës se është e pazakontë që një ish ministër, ish kryeministër, ish kryetar parlamenti e ish president të kandidojë për postin e kreut të bashkisë së kryeqendrës së shtetit, pasi ndodh e kundërta në të gjitha precedentët e politikës botërore.

Por për Ilir Metën nuk ka asgjë të pazakontë, ai i bën të gjitha, pavarësisht radhës dhe renditjes së pretendimit për kapjen e posteve shtetërore dhe institucionale. Mjafton të jetë një copë pushtet dhe kur bëhet fjalë për Tiranën me 1 milionë banorë, sa gjysma e krejt vendit, kuptohet fare qartë se përse Meta e kërkon me ngulm kandidimin në emër të opozitës për të tentuar që të bëhet kryetar i bashkisë së kryeqytetit.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, Meta ka sulmuar fort Ramën për Tiranën, duke e akuzuar se e ka betonizuar, ka dhënë leje pa kriter, i ka zënë frymën me kullat e ngritura që nga qendra dhe në çdo cep të kryeqytetit.

Megjithëse për hir të së vërtetës, Edi Rama e ka lënë bashkinë e Tiranës, që në maj të vitit 2011, pra para 11 vitesh, kur dhunshëm, dhe me votat e përkrahjen e Ilir Metës, e nxorën nga zyra, megjithëse kishte 10 vota më shumë se rivali i atëhershëm, sot në pension politik, Lulzim Basha.

Edhe të mërkurën në takimin me strukturat e Partisë së Lirisë, apo në postimet e përditshme, përmes fotove dhe videove Meta tenton të tregojë se si ka ndryshuar për keq kryeqyteti, krahasuar madje dhe me kohën e komunizmit, nganjëherë dhe me foto të Kabulit duke i paraqitur si të Tiranës, se si është betonizuar, si janë zënë hapësirat e blerta, si janë bllokuar rrugët, si është tjetërsuar Tirana.

Janë postimet në adresën e tij zyrtare në rrjetin social, të shoqëruara dhe me foto, apo dhe të publikuara në shumicën e mediave. Kush është i interesuar apo mosbesues për këto që themi, mjafton të futet në këto adresa dhe i gjen të zezën mbi të bardhë.

Madje e ka pranuar dhe në mënyrë indirekte para mediave, teksa u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse do kandidojë për bashkinë e Tiranës vitin e ardhshëm, duke thënë se “Tirana është prioritet për mua se ndej detyrime për këtë tragjedi që i ka ndodh qytetit tonë. Vërtetë humbëm 10 vjet por ndëshkimi do jetë i tillë që për 100 vite askush s’mund të luajë më me interesin publik”.

Meta në funksion të ambicjes së tij nuk ndalet, teksa ka adaptuar dhe slloganin “të çlirojmë Tiranën”, që me sa duket pritet të jetë dhe sllogani i tij për garën e ardhshme elektorale në kryeqytet për kreun e bashkisë.

Meta me sa duket kërkon t’ia bëjë fakt të kryer Berishës kandidimin në emër të opozitës në kryeqytet, dhe si të fitojë, gjasat janë thuajse të pamundura për fitore, si të humbë por me një rezultat më të mirë se ai i zgjedhjeve të fundit për pushtetin vendor në Tiranë, ai këtë kandidim dhe rezultat do ta përdorë për të marrë drejtimin e opozitës, dhe për të pretenduar më pas për një fitore të mundshme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Megjithëse dhe për këto zgjedhje nuk ka shpresë për opozitën që të sigurojë të parën fitore pas vitit 2013. Pasi me këtë situatë në të cilën ndodhet ajo, e ndarë në disa copa, por dhe sepse ka përballë Edi Ramën, që shfrytëzon më së miri duke i përkthyer në vota elektorale për PS, të gjitha investimet, punët e mira që ka bërë por dhe duke përdorur si “tabelë qitjeje” ideale dy “dinozaurët” e politikës shqiptare Berisha dhe Meta, që si një “dhuratë nga qielli” tashmë të rikthyer në krye të partive të opozitës, do t’i ketë përballë si kundërshtarë politikë, opozita duket pa shanse fitoreje. Sepse dhe drejtuesit janë njëri “non grata” dhe tjetri me njollën e zezë si ish bashkëpunëtor i Sigurimit famëket të Shtetit, të kohës së diktaturës komuniste.

Berisha dhe Meta e dinë fort mirë pozicionin e tyre të vështirë për të sjellë opozitën në pushtet, ndaj njëri ngurron t’i japë “ortakut” politik “mandatin” e drejtimit të opozitarizmit kundër Ramës, ndërsa tjetri për të garantuar mbrojtjen politike dhe përjashtimin nga politika në shtator, i kërkon me këmbëngulje “non gratës” drejtimin e koalicionit opozitar por dhe që të garojë në emër të tij në kryeqytet, nën slloganin “Të çlirojmë Tiranën”.

Për një politikan që ulet e ngrihet duke parë ëndrra me aktet e Avni Rustemit, Mujo Ulqinakut, Mic Sokolit dhe Vojo Kushit, bëma që pretendon se mund t’i bëjë dhe ai në përpjekje për të përmbysur regjimin e Edi Ramës, pa dyshim që ëndrra për drejtimin e opozitës por dhe kandidimin për kryebashkiak në kryeqytet, quhet shumë e lehtë për të.

Ndaj ushtron një presion të fortë ndaj Berishës për të marrë rolin e “kapos” së opozitës, e për të marrë përsipër të gjitha “garat e vështira kundër Edi Ramës”, e ilustruar me deklarata të tipit “e këpus në mes Edi Ramën” apo “i bie direkt dhe me të parën më të fortit, i bie vetë e jo përmes të tjerëve”, deklarata këto më shumë se për t’i dhënë zemër opozitarëve janë për t’i dhënë zemër vetes në radhë të parë në këtë situatë ku është, në fije të perit për t’u përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga politika si sigurims, por dhe për t’i bërë presion Berishës që të bëjë një hap pas dhe t’i lëshojë vendin atij në krye të opozitës.

Madje mendohet që Meta nuk e quan nder nga Berisha dhënien e drejtimit të koalicionit opozitar apo mbështetjes për garën në kryeqytet, por si një “pendesë” dhe kompensim për “vuajtjen” dhe traumën që i ka shkaktuar gjithë këto ditë, teksa i ka dekonspiruar dosjen e Sigurimit të Shtetit.

Meta e përmend vend e pa vend shtatorin, ku do të “shpërthejë aksioni opozitar kundër regjimit” jo thjeshtë e vetëm sepse në këtë muaj është paralajmëruar se do të marrin jetë dy nismat ligjore për kontrollin e figurës për të ndaluar të gjitha ish sigurimsat që të jenë pjesë e Kuvendit dhe administratës publike, apo dhe ata që kanë qënë në poste të larta në kohën e PPSH, por dhe për faktin se fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme vendore nis pikërisht në shtator, me nisjen e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkish nga ana e partive politike.

Meta kërkon të zhbëjë deklaratën e Berishës, që po përdoret prej liderit demokrat si një “klon” i pakapërcyeshëm për kreun e Partisë së Lirisë, që është fiksimi dhe në statut i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie dhe deputetë përmes “primareve”. Meta kërkon nga Berisha një marrëveshje politike për emrin e tij në tavolinë, dhe këtë e kërkon me patjetër, qoftë dhe duke bërë presion, qoftë dhe duke dalë më vete e lënë Berishën “non grata” të vetëm përballë Ramës.

Duke iu referuar shprehjes së vjetër sa bota se “halli ku nuk të çon”, Meta ka vendosur të luajë “fit a fit”, më shumë se kundër Ramës, përballë Berishës, për t’i rrëmbyer drejtimin e opozitës dhe për ta pasur atë si mburojë për aktet që e kërcënojnë pikërisht ekzistencën e tij në politikë.

Thjeshtë duhet të presim, nëse Meta do arrijë të marrë “pendesën” e Berishës për dekonspirimin e dosjes së Sigurimit dhe si kompensim të këtyre “vuajtjeve” të shkaktuara t’i japë drejtimin e opozitës dhe “lejen” për të garuar në emër të saj për bashkinë e Tiranës.

Ndaj shtatori është muaji më i “nxehtë” politik i vitit, pasi rrugët e Metës e Berishës ose do të bashkohen ose do ndahen përfundimisht. E sigurtë është se situata në shtator do jetë shumë e nxehtë. Por dhe Meta do ta “pasurojë” akoma më tej fjalorin e tij politik. Do shtojë dhe ndonjë fjalë tjetër.