Nëpërmjet programeve si “Google Project Management Certificate”, një kurs profesional certifikimi në internet që ofrohet falas nëpërmjet Coursera, Google po ndryshon metodat tradicionale të punësimit të personelit
Google është një nga kompanitë më të pëlqyera në botë për punëmarrësit, sipas një studimi nga Universum, e cila ka edhe disa nga punonjësit më të talentuar në botë.
Por, nuk janë thjesht emri dhe reputacioni i gjigantit të teknologjisë faktorët që po tërheqin kandidatët. Në fakt, janë kërkesat e kompanisë për pozicione të ndryshme, ose më mirë, mungesa e tyre.
Kandidatët nuk kanë më nevojë të kenë CV të shkëlqyera, letra motivimi dhe vite të tëra përvojë pune. Google po zbulon talentet kryesore që nuk kanë asnjë diplomë apo përvojë pune. Qasja e Google është e ngjashme me “testin me dy duar” të Elon Musk, për të gjetur talentet më të mira, pa qenë nevoja për diploma. Metoda e Google është më e veçantë, pasi eliminon edhe nevojën e përvojës së punës.
Nëpërmjet programeve si “Google Project Management Certificate”, një kurs profesional certifikimi në internet që ofrohet falas nëpërmjet Coursera, Google po ndryshon metodat tradicionale të punësimit të personelit. Pas përfundimit të kursit të certifikimit, Google u jep studentëve të interesuar mundësi për t’u angazhuar në një nga pozicionet e menaxhimit të projekteve.
Në vend që t’i analizojë kandidatët nëpërmjet arsimit ose përvojës së tyre, kompania e mat aftësinë me rezultatet nga kursi i trajnimit. Nëpërmjet kësaj mënyre, Google po zbulon jo vetëm menaxherët më të mirë të projekteve në botë, por menaxherët e projekteve që kanë aftësitë e nevojshme për të ndihmuar ekipet e kompanisë që të arrijnë në një nivel tjetër.
Google po demokratizon mënyrën e punësimit, duke përdorur tre elemente kyçe për të gjetur talentet më të mira. Pothuajse çdo biznes mund të përdorë kuadrin bazë që qëndron pas strategjisë gjeniale të kompanisë me vlerë mbi 1 trilion dollarë, për të ndërtuar ekipe më të mira.
Zbuloni inovatorët nga një numër më i madh kandidatësh
Kursi i certifikimit falas nga Google për menaxhimin e projekteve po ndihmon në mënyrë efektive për t’i hapur pozicionet e menaxhimit të projekteve ndaj kujtdo.
Duke hequr kufizimet standarde, si arsimi i lartë apo përvoja e drejtpërdrejtë, kompania po krijon një rrjet shumë më të madh ndaj grupit të kandidatëve të mundshëm.
Në realitet, shumë profesione nuk kanë nevojë për diplomë që të kryhen. Nëse kompanitë nuk i marrin në konsideratë kandidatët pa një diplomë në një fushë të caktuar, ose edhe ata pa diplomë fare, kjo mund të ishte e dëmshme për të gjetur njerëzit më të përshtatshëm për një rol të veçantë brenda organizatës. E njëjta gjë vlen, në shumë raste, edhe me përvojën e drejtpërdrejtë.
Ka raste kur është në dobi të punëdhënësit që kandidati të mos ketë përvojë të mëparshme në këtë fushë. Kjo është sidomos e vërtetë për ekipet ose organizatat inovative, të cilat nuk duan që gjërat të bëhen ashtu siç janë bërë gjithmonë, ose kur bizneset përpiqen të dallojnë nga konkurrentët, duke i bërë gjërat ndryshe.
Mungesa e përvojës ofron mundësinë për të pasur perspektiva dhe ide të reja. Në fakt, sipas Fast Company, një kompani zbuloi se punonjësit që nuk kishin përvojë ua kalonin atyre që kishin 10 deri në 15 vite përvojë në shitje.
Jepini përparësi vlerësimit të aftësive
Marrja e një numri sa më të madh aplikimesh nuk është qëllim në vetvete. Synimi është gjetja e kandidatit më të mirë për një rol të caktuar.
Kështu, për Google nuk do të kishte vlerë numri i lartë i aplikantëve, nëse nuk do të kishte një mënyrë për të filtruar kandidatët dhe për të vlerësuar përshtatshmërinë e tyre. Arsyeja pse kursi i trajnimit falas në internet është një ide gjeniale, lidhet me faktin se ai shërben si portofol për aplikantët.
Kjo do të thotë se Google ka një volum të jashtëzakonshëm informacioni për çdo aplikant, pas mbledhjes së përgjigjeve të detyrave të plotësuara nga aplikantët. Rezultati i kësaj qasjeje është që çdo aplikant është në gjendje të sigurojë një portofol që tregon punën e tij, procesin e të menduarit, mënyrën e drejtimit dhe aftësitë e komunikimit.
Dhe, më e rëndësishmja, kursi imiton në mënyrë efektive pozicionin e vërtetë të punës, duke treguar aftësitë e kandidatit për t’u përshtatur në atë punë.
Investoni në trajnimin e punonjësve
Arsimi formal, ashtu si dhe përvoja e mëparshme, nuk do të thotë domosdoshmërisht që dikush është gati për të hyrë në tregun e punës. Çdo biznes funksionon ndryshe, kështu që, pavarësisht pozicionit për të cilin po kërkoni kandidatë, punëdhënësit duhet të investojnë në trajnimin e punonjësve.
Duke pasur kandidatë që zotërojnë aftësitë e duhura, punëdhënësi eliminon nevojën që ata të përmbushin kërkesa specifike për arsimin apo përvojën. Kuptohet që biznesi mesatar nuk është në gjendje të krijojë një kurs certifikimi falas në internet si Google. Megjithatë, ka shumë mënyra për të përmirësuar procesin e punësimit, duke u dhënë përparësi aftësive më tepër sesa arsimit apo përvojës.
Një nga mënyrat më të shpejta për ta arritur këtë është duke i kushtuar më shumë rëndësi trajnimit të punonjësve të rinj, për t’i bërë ata ashtu siç dëshironi ju që të punojnë, dhe jo siç i ka trajnuar ish-punëdhënësi i tyre.
Në fund të fundit, nëse doni të dalloheni nga konkurrentët tuaj në tregun ku ushtroni aktivitetin, do t’ju duhet t’i bëni gjërat ndryshe.
Kjo nënkupton gjetjen e talenteve të reja, me një nivel të lartë aftësish dhe perspektivë ndryshe. Kufizimi i rrjetit tuaj të kandidatëve vetëm tek ata që kanë një arsim formal dhe shumë vite përvojë në këtë fushë, është një mënyrë e shpejtë për të kufizuar aftësinë e ekipit për të qenë inovativ dhe për të reduktuar mundësinë e biznesit për t’u diferencuar në një treg shumë të madh.