Pavarësisht se Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror, hetimet për spiunazh për dy rusët dhe ukrainasin që tentuan të futen në mënyrë të jashtëligjshme duke sulmuar dy ushtarë do të shkojnë deri në fund. Kështu bëri me dije Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një konferencë për mediat për çështjen në fjalë, ku ndodhet së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Agresioni që shkaktuan rusët e ukrainasi, si edhe pajisjet që kishin me vete, ministri Çuçi tha se përbëjnë material për dyshim, pavarësisht se mund të jenë edhe turistë që kanë interes për të fotografuar objekte të luftërave të ndryshme.
“Ky objekt është deklasifikuar, për nga pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruar ndaj ushtarëve janë marrë nën hetim nga prokuroria. Prokuroria bashkë me policinë do e zbërthejë çështjen. Ka turistë aventurierë që e kanë si synim fotografimin e objekteve me karakter të veçantë që ishin pjesë e një industrie të luftës së ftohtë, ndaj do hetojmë deri në fund për të hetuar çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje. Deri tani nuk ka vend për spekulime. Edhe për ngjarje të tjera të ngjashme kemi qenë shumë të qartë. Përfundimi i hetimeve do të tregojë se çfarë qëllimi kishin këta njerëz, pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror”, u shpreh Çuçi.
Ministri tha se elementët e rinj që do të dalin në lidhje me përfundimin e hetimeve do të komunikohen me publikun.
Home Lajme Aktualitet Ministri i Brendshëm: Uzina e armëve është objekt i deklasifikuar pa sekrete...