Arzen Voci është njeriu që diti të menaxhonte një situatë të rëndë të dielën në Rrogozhinë. Voci me plot gojën është njeriu që në momentet e para i dha ndihmën Qefalijajt, duke e mbajtur në jetë në momentet e para kur lojtari nuk po merrte frymë. Një udhëtim i tmerrshëm deri në Tiranë dhe falë ndihmës së mjekëve në Spitalin e Traumës, Klevi tani është jashtë rrezikut për jetën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Voci flet për minutat e tmerrit nga Rrogozhina deri në spital.
Arzen, keni bërë një veprim heroik, duke i shpëtuar jetën Klevi Qefalijajt…
Mendoj se kemi bërë vetëm detyrën dhe atë për të cilën ne jemi këtu. Që të jemi pranë lojtarëve edhe në momentet më të vështira. Fatmirësisht edhe me ndihmën e Zotit gjërat shkuan mirë, por ne bëmë maksimumin, falë atyre gjërave që ne kemi mësuar nga formimi ynë, shkolla, eksperienca, nga kursi që organizon federata me doktor Sezinin. Çdo gjë e vumë në zbatim dhe rezultoi me sukses.
Çfarë ndodhi saktësisht në ato momente?
Saktësisht ne e mësuam më vonë se çfarë ndodhi. Flas për diagnozën e saktë. Në fillim shihnim vetëm një çarje. Ishte evidente. Kishim frikë disa gjëra. Më pas mësuam që ishte një frakturë orbitale e pjesës ballore, e cila kishte shkaktuar një hematomë truri dhe axhitimi ishte shumë i fortë.
Patët frikë për më të keqen?
Në një moment po. Sepse po kalonte shumë kohë. Sekondat dukeshin si orë dhe në një farë pike, kur nuk po mundja ta bëja të inspironte, pata frikë. Ishin disa sekonda. Fati deshi që situata të kthehej në favorin tonë. Klevi nxori sekrecionet që e bllokonin. U lirua. E mbajtëm në monitorin së bashku me ndihmën e mjekëve të ambulancës.