Ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka reaguar ashpër ndaj provokimeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës duke theksuar se bëhet fjalë për një agresion të pashpallur.

Duke mos ia përmendur emrin, Majko thotë se Vuçiçi kërkon ndryshime te shpejta në Ballkan duke bërë politikën e Rusisë, por kjo mund të dalë më keq për Serbinë.

“Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande”, shkruan Majko në formë paralajmërimi për Serbinë.

Postimi i plotë

Republika e Serbisë ka filluar një agresion të pashpallur ndaj shtetit të Kosovës.

Politika e tundimit të serbëve me gënjeshtrat e duhura nga Beogradi, mbart rrezikun që ata të verbohen dhe të mos shohin cmendurinë që kanë para syve.

Shpallja unilaterale nga 4 komunat në veriun e Kosovës, të territorit me legalitet të dallueshëm, është fillimi i një krize që nuk ka të bëjë me të drejtat e serbëve.

Provokimi serb në Kosovë, është kërkesë për të ndryshuar statuskuonë e paqes në rajon nga “Pons Pilati” në Beograd që bën sikur kontrollon Serbinë!

Politika e Beogradit po humb cilësitë europiane dhe po funksionon si “front i dytë” për politikën e Lindjes.

Dhuna sjell ndryshime të shpejta por rezultate iluzore!… Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande!