Nga Arbër Hitaj/
Në këto ditë vere, larg zhurmës së përditshmërisë, një ‘rrufe’ e fortë në qiell të hapur e prishi qetësinë e pushimeve. Një skaf, një oficer policie me 100 probleme me ligjin, kreu një krim makabër! Një 7 vjeçare, engjëll, nuk jeton më! Është një ngjarje që padyshim i tronditi të gjithë dhe pas të cilës vijnë pyetjet. Kush është përgjegjësi? A mund të parandalohej një ngjarje e kësaj përmase tronditëse? Si ka mundësi ndodhin te ne, një vend kaq i vogël? Padyshim që ka shumë përgjegjës në pushtetin ekzekutiv e lokal, përgjegjësia fillon nga Ministri i Brendshëm, te ai i Turizmit, Drejtori i Policisë dhe gjithë zinxhiri drejtues në terren! Unë nuk besoj se dorëheqjet e dobësojnë një qeveri, përkundrazi. Por, me sa duket ky është një standard i largët për politikën tonë.
Shoqëria civile protestoi dhe me të drejtë, por tinëzisht aty u infiltruan Ilir Meta dhe Sali Berisha, madje ky i fundit vendosi edhe qirinj para kryeministrisë. E tmerrshme apo jo, ata që i kanë dhe një dorë të madhe zgjatjes së tranzicionit po luftojnë për demokracinë! Ata që kur kanë qenë në krye të vendit i kanë lyer duart me gjak! Doni prova apo fakte? Në 21 Janar, 4 të vrarë dhe një gazetar i plagosur, asnjë keqardhje dhe masa zyrtare! Nuk po i futem historisë me gardën dhe bllokimin e arrestimit. Por, këta kolegë që vendosin kujën për Berishën dhe Metën, shajnë si të Ramës këdo që i kritikon, atëherë as nuk guxonin të përmendnin faktit që kolegu i ABC News Fatos Mahmutaj u plagos! Doni më që është harruar, në një disko nipi i ish-drejtorit të policisë në kohën e Berishës dhe Metës, vrau një balerinë, u mbrojt deri sa doli jashtë vendit dhe u shpall në kërkim. Jo kolegë nuk e relativizoj, por nuk mund të harroj! Nëse shteti ka bërë krime kur në qeveri ishin këta të opozitës sot më e pakta duhet ta themi! Jo të gjejmë strehë për përfitime personale apo inat të Ramës që në 9 vite në qeveri ka shumë mëkate.
Por mëkate dhe gjak në duart krerëve të vendit tonë në mënyrë direkte apo indirekte. Ajo që e bën më të rëndë situatën është se janë pikërisht këta që po luftojnë që kanë shkaktuar disa nga dramat më të mëdha të vendit tonë. Si 1997 pasojat e të cilës ende i vuajmë, Gërdeci dhe mbi të gjitha korrupsioni. Ka shumë për të thënë, por më e pakta mos i lejoni të vijnë në protestat civile. Nuk kanë asnjë të drejtë! Nuk janë qytetarë normale, janë anormalë!
Në ShBA së fundmi është vendosur në disa shtete kurrikula që ka të bëjë me kontrollin e fakteve, lidhet me gazetarinë por edhe me shoqërinë. I mëson të rinjve se si të kontrollojnë vetë dhe të mësojnë të vërtetën nga lajmet e rreme. Nëse të gjithë e bëjmë këtë ushtrim do të shikojmë se këto probleme fatkeqësisht kanë qenë edhe në kohën e Berishës apo të Metës, periudhë kur ata qeverisnin veçmas apo të ndarë. Me një ndryshim nga tani, SPAK nuk ishte dhe drejtësinë e kontrollonin me një darkë ose drekë së bashku, Meta dhe Berisha. Mjafton të shikoni darkën një ditë nga vendimi për videon Meta-Prifti 10 vite më parë. Një google search është e gjitha. Ka ardhur prej vitesh koha që politika të pastrohet dhe Meta dhe Berisha bashkë me mëkatet e tyre, është koha të largohen. Ndërsa për të gjithë ju që i besoni apo nuk i njihni, shikoni çfarë kanë bërë në kohën kur qeverisnin, jo çfarë thonë në opozitë!