Novak Xhokoviç humbet zyrtar isht edhe turneun e dytë Grand Slam për këtë vit, pasi nuk do të marrë pjesë as në Us Open, event që nis më 29 gusht në Nju Jork. Emri i tenistit serb nuk u përfshi dje short dhe kështu Nole do të jetë mungesa më e madhe e kompeticionit amerikan, së bashku me të dëmtuarin Aleksandër Zverev.

Ndonëse lajmi për mospjesëmarrjen e Xhokoviçit në US Open qarkullonte prej kohësh, zyrtarizimi ka ardhur vetëm ditën e djeshme, kur autoritet amerikane i konfirmuan se për të hyrë në SHBA tenisti duhet patjetër të këtë bërë dozat e vaksinave anti-COVID, duke i vendosur kapakun mungesës së 21 herë fituesit të turneve Grand Slam në evenimentin e Nju Jorkut.

Ndonëse u mendua se për tenistin serbin do të kishte një lëshim, autoritet amerikane ishin të prera. “Për qytetarët që nuk janë amerikanë është i detyrueshëm vaksinimi i plotë para se të ndërmerret çdolloj fluturimi drejt SHBAsë”, theksohet në ligjin që është në fuqi në SHBA. Kështu për Xhokoviçin ky do të jetë eventi i dytë Slam që nuk merr pjesë gjatë këtij viti për të njëjtin motiv, çështjen e vaksinimit.

Në janar 35-vjeçari u ndalua të merrte pjesë në Australian Open, duke u dëbuar nga vendi i kangurëve për të njëjtën arsye. Me mungesën në Us Open, Xhokoviç, aktualisht numri 6 në botë, pritet të rrëshqasë edhe më poshtë dhe të zbresë poshtë top-10.

REAGON TENISTI Xhokoviç, i cili njihet për qëndrimin e tij kundër vaksinimit të detyruar, ka reaguar dje në rrjetet sociale, ku ka njoftuar se nuk do të fluturojë drejt Amerikës.

“Me keqardhje njoftoj se nuk do të fluturoj për në SHBA për turneun e US Open. Faleminderit për mesazhet plot dashuri dhe mbështetje. U uroj fat kolegëve të mi. Unë do të mbetem në një formë të mirë dhe me moralin lart në pritje të mundësisë për të garuar sërish. Shihemi së shpejti”, shkruan Novak Xhokoviç në postimin e bërë në faqen e tij zyrtare.

Kështu, tenisti serb vijon t’i qëndrojë besnik idesë së tij, duke mos pranuar që të vaksinohet, zgjedhje që po ndikon jo pak në karrierën tenistit.