Për ngjarjen e 11-vjeçares në Kosovë, ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila në mesazhin e saj në rrjete sociale bën një apel të fortë për një lëvizje të madhe shoqërore, ku askush të mos qëndrojë indiferent dhe gjithsecili të japë kontribut.
Mesazhi i plotë i Ministres Evis Kushi:
Një ngjarje për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi dhe të reflektojë e gjithë shoqëria.Akti i rëndë me 11-vjeçaren në Kosovë ka tronditur thellë secilin prej nesh, por edhe themelet dhe vlerat e shoqërisë. Edhe pse në reagimin e menjëhershëm të gjithë kërkojmë dënimin e merituar për fajtorët, kaq nuk mjafton. Është po kaq emergjente edhe identifikimi i shkaqeve dhe fajtorëve të tjerë, përtej dhunuesve të dukshëm, mes të cilëve edhe të mitur ndoshta të pavetëdijshëm për makabritetin e krimit që kryejnë.
Zgjidhja nuk është vetëm dënimi i fajtorëve, por parandalimi dhe edukimi i një shoqërie të tërë. Informacioni i plotë për rreziqet që u kanosen fëmijëve dhe edukimi që në moshë të hershme kundër dhunës së çdo forme, respekti për njëri-tjetrin, për shokun, për shoqen, por veçanërisht për të miturit duhet të jetë prioritet absolut në shkollë, familje dhe shoqëri.Ky është apel për një lëvizje shumë të madhe shoqërore, ku askush nuk duhet të qëndrojë indiferent dhe gjithsecili mund dhe duhet të japë kontribut.Jeta, shëndeti, mirëqenia dhe siguria e fëmijëve janë prioriteti absolut i çdo shoqërie!