Ka nisur sot puna për rehabilitimin dhe urbanizimim e zonës së Përroit të Lushnjes.
Ky është një investim shumë i rëndësishëm për Lushnjen, i cili do t’i japë këtij qyteti një pamje krejt tjetër.
Në fjalën e tij Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla tha se fjala e dhënë më 4 mars u mbajt dhe nga sot nis puna për zbatimin e këtij projekti, i cili është një nga investimet më të mëdha të qeverisë shqiptare në Lushnje.
Sipas Ballës Urbanizimi, rivitalizimi, pastrimi i përroit të Lushnjes ka qenë dhe mbetet një gangrenë, burim papastërtish, sëmundjesh nëse doni të një qyteti tepër të bukur sikurse është Lushnja.
Gjithashtu Balla shprehu bindjen që ndërsa do të realizojmë këtë projekt të rëndësishëm, i cili doni apo s’doni ngjan me atë projektin e madh të Lanës në Tiranë dikur, do të kemi vështërsi dhe pengesa do të kemi edhe rezistencë për të spostuar uzurpimin e hapësirave publike në ndonjë avlli apo në ndonjë ndërtesë që është ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Nga data 4 Mars e këtij viti, sa herë që bashkë me Linditën, Tatjanën, Bujarin dhe natyrshëm me Eriseldën lëviznim në lagjet e Lushnjes, çdo lushnjar që më ndalonte më thoshte nëse do ta mbash fjalën që dhatë në 4 Mars, se unë nuk do të vi më në Lushnje nëse nuk do të bëhet ky projekt.
Dhe në fakt ashtu si Eriselda gjej rastin të falenderoj Kryeminstrin Rama i cili e mbështeti me prioritet këtë investim shumë të rëndësishëm të këtij projekti, ku sa herë kam biseduar me shumë lushnjarë kjo është një prej atyre kërkesave që i është bërë të gjitha qeverive në këto 30 vite.
Urbanizimi, rivitalizimi, pastrimi i përroit të Lushnjes ka qenë dhe mbetet një gangrenë, burim papastërtish, sëmundjesh nëse doni të një qyteti tepër të bukur sikurse është Lushnja.
Dhe unë jam shumë krenar sot që bashkë me kologët dhe koleget e mia deputete dhe deputet, të jem këtu bashkë me Eriseldën, bashkë me drejtuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku gjej rastin t’i falenderoj edhe ata, qoftë z.Agolli, qoftë Arbenin me të cilin kemi një raport shumë të mirë, i cili ka ndjekur në fakt pothuajse të gjitha projektet që qeveria shqiptare po realizon në qarkun e Fierit dhe që janë të shumta. Besoj se me kompaninë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përzgjedhur do të kemi një bashkëpunim të ngushtë, në dobi të realizimit me shumë korrektesë, brenda të gjitha afateve por mbi të gjitha me shumë cilësi të këtij projekti.
Duhet të kuptojmë se kjo që sot është në këtë fotografi ne duam që të realizohet edhe shumë herë më mirë në realitet.
Dhe ky është objektivi ynë, që çdo qindarkë e këtij investimi kaq të rëndësishëm të realizohet me cilësinë e duhur dhe të jetë transparente çdo investim, në mënyrë që puna të realizohet edhe afatet të respektohen.
Jam shumë i bindur që ndërsa do të realizojmë këtë projekt të rëndësishëm, i cili doni apo s’doni ngjan me atë projektin e madh të Lanës në Tiranë dikur, do të kemi vështërsi dhe pengesa, do të kemi edhe rezistencë për të spostuar uzurpimin e hapësirave publike në ndonjë avlli apo në ndonjë ndërtesë që është ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Dhe unë e di që sa herë ndërmarrim projekte të tilla të mëdha do shfaqet edhe Saliu me Ilirin për të mbështetur këdo që ka zënë hapësirat publike. Mos u habisni që t’i keni ditët në vijim këtu në Lushnje, për të mbështetur këdo që ka një ndërtesë pa leje, një avlli pa leje etj etj. Mos u habisni fare, e kanë zakon, do vijnë edhe këtu do bëjnë adetin, po ata atë punë kanë e ne këtë punë kemi.
Ne do vazhdojmë ta zbukurojmë Lushnjen, do vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë, të bashkuar por jo të ndarë dhe ndërkohë që ata do vazhdojnë avazin e tyre.
Por dua t’ju them të gjithëve që askush nuk e ndal jo vetëm këtë projekt, por edhe projekte të tjera të vijimit të urbanizimit të Lushnjes. Ne duam që të çlirojmë të gjitha hapësirat publike të zëna padrejtësisht në gjithë këto 30 vite dhe projekti i urbanizimit, rivitalizimit të gjithë zonës për ku kalon i ashtëquajturi përroi i Lushnjes është vetëm fillimi i një procesi shumë të rëndësishëm do ta quaja unë të zbukurimit, të urbanizimit të këtij qyteti që ka një popullsi të madhe, që është një prej shtatë bashkive më të mëdha në vendin tonë, dhe natyrshëm që ndërsa punon ka edhe nga ata që do fillojnë edhe të na paragjykojnë, të na sulmojnë me pa të drejtë, por si është ajo shprehja “qentë le të lehin, karvani do shkojë përpara”.
Kështu që pa dashur të hyjë në shumë detaje dhe shumë problematika, jam shumë krenar që ja arritëm qëllimit që në një kohë kaq të shkurtër nga moment i parë i diskutimit të projektit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, mes ekspertëve të bashkisë dhe atyre të fondit të jemi sot në 26 Gusht, në ditën e parë të fillimit të punimeve të këtij projekti tepër të rëndësishëm për Lushnjen.
Jemi sot një ditë pasi një lushnjar si Florian Marku, pati një fitore do ta quaja unë historike, sepse fitorja në shptëpi është gjithmonë fitorja që të pëlqen më shumë. Por natyrshëm 26 Gusht është edhe një ditë tjetër e bukur, kujtojmë gjithmonë ditëlindjen e Nënë Terezës në këtë mos gaboj, 112 vjetor të datëlindjes së saj. Kështu që në këtë kuptim duke e përmbyllur fjalën time dua që ta falenderoj në fund, por me shumë përzemërsi Eriseldën dhe të gjithë stafin e bashkisë për gjithë punën parapërgatitore që kanë bërë në realizimin e këtij procesi, i falenderoj për punët e mira që po vazhdojnë të bëjnë në projekte të tjera të rëndësishme këtu në Lushnje, dhe natyrshëm edhe një herë t’i kërkoj Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kompanisë, se pashë që kompania kishte një emër me përbërje gjermane brenda saj, uroj që siç keni emrin të bëni edhe punën se ne këtu na keni, do ju rrimë mbi kokë çdo ditë. Edhe të jeni të sigurtë që këto që janë fotografi, i dua më mirë seç janë në fotografi.
Shumë faleminderit dhe ta gëzojë Lushnja këtë projekt të madh.
Faleminderit