Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret ditën e sotme në Bruksel liderët e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç. Stoltenberg do të zhvillojë takime të ndara, fillimisht me Vuçiç në orën 15:30, ndërkaq takimi me Kurtin do të zhvillohet në orën 17:00.
Më pas secilit takim, është paralajmëruar se do të ketë konferencë për media.
Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiç, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo pas acarimit të situatës në veri të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit.
Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me ri-regjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale.