Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, pranoi të hënën një tjetër delegacion nga Shtetet e Bashkuara, në kohën kur tensionet me Kinën vazhdojnë të jenë të larta.

Eric Holcomb, guvernator i shtetit amerikan, Indiana, arriti në Taipei për vizitë katërditore. Vizita e tij vjen pas udhëtimeve që kanë realizuar zyrtarë të lartë amerikanë në ishull, përfshirë udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Këto vizita kanë tensionuar Kinën, e cila kundërshton kontaktet zyrtare të Taipeit me shtetet tjera, duke bërë që Kina të kërcënojë Tajvanin përmes stërvitjeve ushtarake.

Mirëpo pavarësisht kësaj, Tajvani pret zyrtarë amerikanë si edhe shton marrëveshjet, me një marrëveshje tregtare që u krye javën e shkuar.

Tajvani është ishull që vetëqeveriset prej vitit 1949, por Kina e konsideron si territor të sajin.

Tsai theksoi në bisedë e sipër me Holcombin se, SHBA-ja dhe Tajvani janë aleatë kyçë për ekonomi në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Tajvani është përballur me kërcënime ushtarake nga Kina, në dhe rreth Ngushticës së Tajvanit. Në këtë moment, aleatët demokratikë duhet të qëndrojnë së bashku dhe të rrisin bashkëpunimin në të gjithë fushat”, ka thënë Tsai.

Holcomb ka nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Ekonomisë së Tajvanit, për të lehtësuar biznesin dhe tregtinë bilaterale, ashtu sikurse bashkëpunimin shkencor.