Nga Ylli Pata/
Një lajm i publikuar nga Zëri i Amerikës, bëri të ditur se në Kongresin amerikan po përgatitet një ligj special për Ballkanin Perëndimor.
Ligji, që është një nismë e përbashkët e demokratëve dhe republikanëve, do të ngrejë nivelin e mbështetes amerikane për vendet e Ballkanit në dy aspekte; atë të mbështetjes ekonomike nëpërmjet fondeve që Kongresi e ka tagrin të akordojë për rajonin, por edhe shtimi i saknsioneve ndaj liderëve të korruptuar në vendet e Ballkanit.
Siç bën të ditur VOA,grupi drejtohet nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale dhe senatori republikan Roger Wicker.
“Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njejtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një ligjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, tha zonja Shaheen në prezantimin e iniciativës në faqen e saj në internet.
Projekligji udhëzon sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit.
Ai parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhra ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.
Në ditët në vazhdim do të mësohet më gjerë rreth këtij drafti, po sipas gjasave kemi të bëjmë me zhvillime shumë të forta. Së pari Urdhri ekzekutiv i Presidentit Biden për të luftuar korrupsionin në vendet e Ballkanit pritet të bëhet ligj, e që e vulos edhe më fort këtë angazhim amerikan.
Ndërkaq, pjesa që duket se do të jetë shumë e fortë, është hyrja e qeverisë së SHBA në luftën direkte kundër korrupsionit në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal i Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Deri tani, ky akt i politikës së lartë amerikane është kryer nëpërmjet aktivizimit të Departamentit të Shtetit dhe atij të Thesarit, të cilët kanë sanksionuar politikanë të lartë në disa vende të rajonit.
Në Shqipëri, për Korrupsion janë sanksionuar nga DASH: Sali Berisha, Tom Doshi, Adriatik Llalla e Vangjush Dako. Ndërkohë nga Departamenti i Thesarit është sanksionuar Aqif Rakipi e Ylli Ndroqi.
Me miratimin e këtij ligji nga ana e Kongresit Amerikan, sipas të gjtiha gjasave, do të ketë masa të tjera edhe më të ashpra ndaj politikanëve e zyrtarëve të lartë sshqiptarë por edhe të vendeve të tjera, të cilët janë kthyer në problem të madh për shoqëritë e këtyre vendeve, por edhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Po në ç’formë mund të ishte “ndihma teknike”, te cilën Kongresi autorizon Sekretarin e Shtetit që t’ja japë vende të Ballkanit për të luftuar korrupsionit.
Sipas të gjitha gjasave, mund të kemi një përfshirje të institucioneve amerikane në furnizimin me të dhëna e prova të konsiderueshme për organet e drejtësisë të Shqipërisë, por edhe publikimin e të dhënave mbi pasurinë e fshehur të zyrtarëve të korruptuar.
Dalja e këtij lajmi nga Kongresi amerikan, “rastisi” me vizitën që po zhvillon në SHBA një delegacion i nivelit të lartë të SPAK, që përbëhet nga kreu i saj Arben Kraja, Prokurori i SPAK Vladimir Mara dhe kreu i BKH-së, Aida Veizaj. Të cilët kanë zhvilluar takime të rëndësishme në FBI dhe DEA, Prokurori Mara është ndër kryesorët e SPAK që ka ndjekur dosjet super të rënda të narkotrafikut shqiptar, e sipas gjasave në DEA do të furnizohen me “material edhe më të freskëta”.
Po nuk është aspak çudi që të bëhet fjalë edhe për dosjet e rënda të korrupsionit të zyrtarëve shqiptar që janë shpallur non grata nga qeveria amerikane.
Ben Cardin, senator demokrat nga shteti Maryland, është, Kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur si Komisioni amerikan i Helsinkit. Siç bën të ditur VOA, ai ka folur posaçërisht për politikanët e korruptuar që janë kthyer në një problem të rëndësishëm për stabilitetin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit.
“Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj drejt qeverisjes demokratike, që nga fundi i luftrave në ish-Jugosllavi, përçarjet politike dhe korrupsioni në rritje, kërcënojnë të gërryejnë këtë përparim. Ndaj ne duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët dhe aleatët tanë demokratikë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Cardin.