Fedez, ka performuar mbrëmjen e djeshme në ‘Sunny Hill Festival’. Ai është një nga emrat kryesorë ndërkombëtarë që janë ftuar në Festivalin e organizuar nga Dua Lipa dhe babai i saj për herë të parë në Shqipëri. Por, përpara se të dilte në skenë Fedez ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, Dukagjinin dhe artistin italian Tananai.

Kryebashkiaku ka ndarë fotot e takimit në rrjetet sociale ku mes të tjerash duket se ai i ka bërë disa dhurata simbolike atyre e po ashtu u ka treguar pak nga Tirana.

“O vlla, jemi shokë! Kur i takova dje, @fedez dhe @tananaimusica më premtuan se do ta ndiznin natën e parë të @sunnyhillfestival . Dhe e mbajtën fjalën, apo jo? Nata e dytë sot, plot yje të muzikës do të ngjiten në skenë. Energji e paparë!”-shkruan Veliaj krah fotove.

Edhe Fedez ka postuar në Instagram një foto me Veliajn duke shkruar: “Faleminderit kryetarit të Bashkisë për pritjen e shkëlqyer”.

Kjo ishte hera e parë që reperi italian performoi në vendin tonë por me siguri nuk do jetë e fundit. Fedez dhuroi super spektakël duke performuar disa prej hiteve të tij kryesore. “La dolce vita’, “Chiamami per nome”, “Meglio del cinema”, “Sapore”, “Bella Storia” janë disa nga këngët që ai këndoi teksa u shoqërua po ashtu edhe nga artisti tjetër italian Tananai. Gjatë performancës së tij ai premtoi se herën tjetër do performojë në Tiranë falas.