Në fjalimin e saj, në konferencën e përbashkët për shtyp, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se me presidencën e re, pret që të intensifikohen marrëdhëniet mes palëve.
Ajo tha se është koha që Shqipëria dhe Kosova të nënshkruajnë një traktat që 2 shtet të reagojnë për mbrojtjen e përbashkët.
“Mirë se erdhët në shtëpi. Uroj Shqipërinë për fillimin e negociatave, ne i gëzohemi arritjeve të Shqipërisë dhe llogarisim në mbështetjen tuaj, keni qenë zëri ynë aty ku ne nuk jemi të përfaqësuar, kam besimin e plotë se do të intensifikojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona. Do të aplikojmë deri në fund të këtij viti në BE, dhe llogarisim ekspertizën e Shqipërisë. Fakti që Shqipëria është në NATO, rajoni është më i sigurt. Një traktat për mbrojtje të ndërsjellë që të reagojmë për mbrojtjen e dy shteteve tonë, është në harmoni me praktikat ndërkombëtare, ndaj është koha që të bëjmë hapat e duhur në këtë drejtim. Presim që BE të jetë më i zëshëm karshi tendencave të prishjes së qetësisë, Serbia është agresioni dhe ajo nxit përçarje dhe presim sinjale të qarta të jepen nga BE. Në emër të popullit të Kosovës duam t’ju falenderojmë, kur keni treguar përkushtim profesional e njerëzor në mënyrë që qytetarët që vinin të plagosuri, t’u jepni ndihmën dhe përkrahjen e nevojshme”, tha ndër të tjera Osmani.