Diplomacia e BE-së po tregohet e pafuqishme për të imponuar një dinamikë dhe autoritet më të madh në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbië, prandaj me të drejtë po kërkohet edhe një angazhim shtesë i amerikanëve në këtë proces
Shkruan Mehmet PRISHTINA
Më 18 gusht në Bruksel u mbajtën dy raunde bisedimesh në mes të përfaqësuesve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë. Vëmendja e mediave botërore si dhe diplomatëve të huaj u mundua të fokusohet në brendinë e bisedimeve në mes të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, por në fund doli se nuk kishte ndonjë lajm që do ta ndryshonte rutinën e këtyre takimeve në Bruksel.
Ajo çka vlerësohet si pozitive deri më tani është fakti se, megjithatë, Kurti dhe Vuçiqi po takohen dhe kjo është me rëndësi, ndonëse këto takime po përfundojnë pa ndonjë marrëveshje konkrete, ndërkohë që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell paralajmëroi se bisedimet do të vazhdojnë, duke shtuar se “unë nuk do të dorëzohem”.Por kur jemi te marrëveshjet , gati të gjitha kancelaritë evropiane, përfshi edhe Washingtonin zyrtar, ishin të një zërit se marrëveshjet që tashmë janë arritur duhet të zbatohen.
Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, të premtën, një ditë pas takimit, tha se “ne u bëjmë thirrje dy palëve që të vazhdojnë diskutimet e tyre në ditët në vijim në frymën e kompromisit, të zbatojnë marrëveshjet që tashmë janë arritur dhe të përmbahen nga marrja e çdo mase të njëanshme që mund të nxisë tensionet”, thuhet në një komunikatë të MPJ-së franceze.
“Jemi të lumtur që liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen nesër në Bruksel, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështetim plotësisht dialogun. Është e rëndësishme që ne besojmë që dy palët ta përdorin këtë mundësi që t’i avancojnë diskutimet e tyre për normalizim. Është prioritet i yni. Ne duam të shohim progres dhe impementim të marrëveshjeve të kaluara”, u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.Ai foli për dialogun edhe pas takimit Kurti-Vuçiq. Price tha se për këtë proces, po angazhohet drejtpërdrejt edhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
“Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, tha ndër të tjerash Price.
Ditë më parë i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në internet, disa ditë pasi që tensionet shpërthyen në veriun e Kosovës për shkak të vendimit të qeverisë për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë, tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Sipas vendimit të qeverisë makinat që kanë targa të lëshuara nga Serbia duhet të pajisen me targa të Kosovës dhe personat që hyjnë në Kosovë me dokumente serbe t’i zëvendësojnë ato me një dokument të përkohshëm, njësoj sikundër veprohet në Serbi me qytetarët e Kosovës.
Gjithashtu Shtetet e Bashkuara thonë se vendimet e qeverisë janë në harmoni me marrëveshjet e Brukselit
Në këtë paraqitje Escobar tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe një gjë e tille tha ai është diskutuar edhe në takimin e presidentes dhe kryeministrit të Kosovës me Sekretarin e Shtetit Antony Blinkën.
“Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha Escobar, sipas të cilit ka modele të shumta evropiane, sipas të cilave pakicat mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kuadrin kushtetues të vendit ku jetojnë.
“Për ne, çështja e Kosovës nuk është një çështje e hapur. Ne e njohim plotësisht Kosovën si vend të pavarur, sovran dhe partner të ngushtë. Aspiratat tona për Kosovën janë po ato që janë të popullit të saj, që ajo të jetë e njohur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të ketë liberalizimin e vizave menjëherë dhe qe dera të jetë e hapur në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha zoti Escobar.
Nga ana tjetër, Serbia ngulë këmbë në themelimin e asociacionit për të cilin udhëheqësit politikë e institucional në Kosovë thonë se bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe Serbia përmes tij synon të dëmtojë shtetësinë e Kosovës, që nuk e njeh. Është paradoksal ky qëndrim i Beogradit, sepse në njërën anë proklamon se Kosova është pjesë e Serbisë, kure në anën tjetër insiston të formojë një Asociacion për serbët në një “shtet që nuk e njeh” (!)
Siç mund të vërehet kemi dy narrativa mbi raportet Kosovë-Serbi. Njëri (bashkësia ndërkombëtare) që insiston në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel, përfshi edhe formimin e Asociacionit, dhe tjetri (Serbia) e cila nuk ka vullnet për zbatimin e kurrfarë marrëveshjeje, përpos asaj që ka të bëjë me Asociacionin.
Kosova është në përparësi të dukshme kundrejt Serbisë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve dhe deri më tani askush nga diplomatët e rëndësishëm ndërkombëtarë nuk e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës sa i përket këtyre marrëveshjeve. E vetmja vërejtje që i bëhet tani për tani Kosovës, është hezitimi për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Por ky hezitim i Kosovës një ditë duhet të merr fund, sepse pajtim afatgjatë me Serbinë nuk mund të ketë pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.
Ajo çka bluhet në kokat e çdo politikani të arsyeshëm dhe të mbarë qytetarëve të Kosovës, ka të bëjë me formatin e këtij Asociacioni. Çfarë duhet të jetë ai? Cilat kompetenca duhet t‘i ketë?
Në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të gjitha këto dilema janë qartësuar, pasi që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të bëhet vetëm duke u harmonizuar me normat kushtetuese të Kosovës.
Deri më tani një qëndrim të njejtë po mban edhe Washingtoni zyrtar dhe ky është një favor i madh për Kosovën. Mirëpo kjo nuk mjafton nëse në procein e dialogut të Brukselit nuk përfshihen drejtpërdrejt edhe përfaqësuesit amerikan. Kjo zatën u kërkua edhe nga shumë eksponentë të opozitës dhe të shoqërisë civile në Kosovë, të cilët ishin të një mendimi se diplomacia e BE-së po tregohet e pafuqishme dhe inerte për të imponuar një dinamikë dhe autoritet më të madh në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, prandaj me të drejtë po kërkohet edhe një angazhim shtesë i amerikanëve në këtë proces. Kjo i bie që pa SHBA-të nuk ka marrëveshje finale me Serbinë.