Arrestohet tre ditë pas ngjarjes 49-vjeçari që plagosi me armë zjarri fqinjin e tij në Allias, mbrëmjen e 23 gushtit.
Në pranga dhe 46-vjeçar që e strehoi autorin e dyshuar të plagosjes, në banesën e tij, si dhe procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetase tjetër, të dy për përkrahje të autorit të krimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur me datë 23.08.2022, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Renaldo Meidani, 23 vjeç, bazuar dhe informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e shtetasit Albert Pulake (Osteni), kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fresku”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Teki Selenica”, u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Albert Pulake (Osteni), 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Gjithashtu, u arrestua shtetasi Fatmir Gega, 46 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe u procedua penalisht shtetasja E. K., 45 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Shtetasi Albert Pulake (Osteni), me datë 23.08.2022, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Renaldo Meidani, 23 vjeç dhe më pas, i përkrahur nga shtetasi D. O., 45 vjeç, dhe O. I., 39 vjeçe (të arrestuar më parë), është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është strehuar në banesën e shtetasit Fatmir Gega, në rrugën “Teki Selenica”, ndërsa shtetasja E. K., e ndihmonte duke i dërguar ushqime, në banesën ku strehohej 49-vjeçari.