Gjykata ka lënë në burg, Qani Muçën 55-vjeçarin, i cili tre ditë më parë plagosi me armë zjarri inspektorin e IMT-së, Ilirjan Gavelli.
Muça qëlloi mbi Gavellin, teksa ky i fundit ishte duke monitoruar aksionin për shembjen e banesës së 55-vjeçarit.
Në dosjen hetimore thuhet se punonjësi i IMT-se u përlesh për t’i hequr pistoletën me te cilin ai u plagos.
“Unë instiktivisht jam hedhur dhe ja kam kapur pasi isha në distancë 2-3 metra larg tij. Në momentin që i kam kapur armën, ai e ka shkrepur dhe kam ndjerë që plumbi më preku në pjesën e barkut. Kam vazhduar të përleshem me të për t’i hequr pistoletën, por mesa mbaj mend pistoleta ka shkrepur për herë të dytë, ndërsa unë vazhdoja ta mbaja të bllokuar nga duart”, dëshmoi punonjësi i IMT-së në polici.
Ndërsa punonjësit e policisë, që kanë dhënë deklarime për ngjarjen, kanë pohuar se ishin aty në mbështetje të aksionit të IMT, kur kanë dëgjuar të shtënat. Sipas njërit prej tyre, në momentin e shoqërimit të Muçës, ai ka thënë “këta duhen vrarë të gjithë, se janë kriminelë”.
Ndërkohë prokuroria ka formuluar për Muçën dy akuza pas ngjarjes së rëndë, ato për “vrasje ndaj funksionarëve publike” mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.