Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një deklaratë për mediat kanë reaguar sërish në lidhje me incidentin e ndodhur në Gramsh ku u sulmuan 2 ushtarë shqiptarë nga 2 shtetas rusë dhe një ukrainas. Ministri Peleshi u shpreh se institucionet vepruan në kohë dhe siç duhet. Ministri u shpreh se rasti po hetohet me seriozitet dhe se nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
‘Ka disa nivele klasifikimi të pronave të ushtrisë. Padyshim që ato që janë të klasifikuara nuk është e lehtë madje e pamundur të depërtohet brenda tyre. kemi dhe site të tjera të cilat janë të vizitueshme, por vizita bëhet vetëm me leje. Ky është rasti i tre uzinave tona. Në Gramsh demontohen armë të ndryshme. Aktiviteti i fundit ka qenë vitin e kaluar. Ka pushuar se funksionuari si uzinë. Kemi të bëjmë me një grup të huajsh të cilët as nuk kanë tentuar ta vizitojnë atë zonë ushtarake me leje sipas procedurës. Ngjarja e Gramshit po trajtohet me shumë seriozitet. Mund të jetë një ngjarje që nuk na shqetëson shumë se çfarë kanë fotografuar por mund të ketë qëllim për një skenar tjetër. Jetojmë në një rajon delikat. Jo të gjitha shtetet kanë të njëjtën axhendë’,- tha Peleshi.