Ditë vendimtare kjo e sotmja për mesfushorin francez Paul Pogba dhe për Juventus. I dëmtuar, kampioni i botës, do të jetë sot në Lion të Francës, për të kryer një vizitë të detajuar pranë profesorit Sonnery Cottet-Bertrand. Ky është mjeku që pak muaj më parë operoi Zlatan Ibrahimovic.

Pogba do të bëjë një vizitë-konsultë për të parë gjendjen e meniskut të gjurit të djathtë. Mjeku do të konfirmojë më pas nëse mesfushori do të vijojë një terapi konservative apo do të kryejë një operacion në menisk.

Natyrisht që lojtari dhe Juventus preferojnë opsionin e parë, pasi operacioni do të thotë një mungesë e gjatë për mesfushorin, që rrezikon të humbasë edhe botërorin. Ndërsa terapia mund të sjellë një mungesë nga 40 deri në 60 ditë për mesfushorin, duke humbur 7-8 ndeshje në kampionat.