Policia e Shtetit ka zhvilluar gjatë kësaj jave 21 operacione policore, ka arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 518 shtetas, nga këta: 132 janë arrestuar, 354 janë proceduar penalisht dhe 32 janë shpallur në kërkim. Sipas njoftimit për shtyp të policisë , janë kryer operacionet “Processed drugs” dhe “Rrethrrotullimi” në Lezhë, “Doses” në Gjirokastër dhe “Libofsha” në Fier, ku u arrestuan 6 shtetas, u sekuestruan 11 kg kanabis çokollatë dhe qindra doza kanabisi.
Në të gjitha zonat e pyllëzuara të vendit, për të goditur kultivimin e bimëve narkotike u zhvilluan 3 operacione të finalizuara, “Kapedanaj” në Durrës, “Muzgu” në Shkodër dhe “Gjokaj” në Gjirokastër, 3 shtetas u arrestuan dhe u sekuestruan qindra bimë kanabisi. Këtë javë, 7 shtetas u arrestuan pasi u kapën duke transportuar 44 emigrantë, kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, në kuadër të operacioneve “Rruga e gabuar” në Mirditë, “Destinacioni” në Lezhë, “Perimetri 190” në Korçë dhe “Road Guard 35” në Gjirokastër.
Finalizohen nga strukturat e DVP Tiranë, 3 operacione policore për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, të koduara “Kasaforta”, “Fshehtësia” dhe “Windows – në pranga 3 shtetas, përsëritës të kësaj veprimtarie kriminale. 3 operacione me fokus goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, “Fati i lojërave” (2 raste) në Tiranë dhe “Basti i fundit” në Korçë – 6 shtetas në pranga. Plan i detajuar operacional, në kuadër të “Illegality”, të finalizuar në Shkodër, për evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit – Goditen 4 raste të aktiviteteve ekonomike të paregjistruara, arrestohet pronari i një pularie, procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas.
Shërbimet e DVKM Vlorë, gjatë operacioneve për kontrollin e mjeteve lundruese dhe argëtuese kanë bllokuar 6 mjete lundruese, nga këto, 5 në Sarandë dhe 1 në Dhërmi. Drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative pasi nuk respektuan zonën e përcaktuar për mjetet lundruese ose për mangësi në dokumentacion. Gjithashtu, shërbimet e DVMK Durrës, gjatë kontrolleve përgjatë vijës bregdetare, kanë bllokuar në Shëngjin, 3 mjete të tjera lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative pasi nuk respektuan zonën e përcaktuar për mjetet lundruese ose për mangësi në dokumentacion. Janë kapur në total 28 persona në kërkim, 26 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 2 të tjerë në kërkim ndërkombëtar. Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 9 raste dhe janë sekuestruar 3 armë zjarri, 3 krehëra armësh, kapsolla detonatore, 4 thika, 4 shufra hekuri dhe 1 dorezë metalike. Gjithashtu, janë sekuestruar 11 kilogram kanabis i përpunuar si çokollatë, rreth 1,7 kg kanabis, sasi lënde narkotike kokainë, bimë, fara dhe doza kanabisi, 5 automjete, 5 aparate celulare, si dhe shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtari kriminale.
Janë goditur 6 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 54 raste të dhunës në familje. Janë evidentuar dhe goditur 20 raste të krimeve mjedisore dhe 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 37 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 44 raste. Është evidentuar dhe goditur 1 rast i veprimtarisë kriminale të zjarrvënies së qëllimshme dhe është proceduar penalisht autori i dyshuar. Policia Rrugore/ Vijon monitorimi i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit duke përdorur mjetet inteligjente bashkëkohore, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Gjatë kësaj jave janë pezulluar 277 leje drejtimi, nga të cilat: 211 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 29 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 37 për qarkullim në sens të kundërt. Janë arrestuar 27 drejtues mjetesh, nga këta: 17 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 10 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 4 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 1 rast për drejtim të mjetit nën efektin e lëndëve narkotike. Janë vendosur 10 228 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Kufitare/Angazhim maksimal për përballimin e fluksit në hyrje/dalje, në të gjitha pikat e kalimit kufitar për krijimin e lehtësirave ligjore, për turistët, vizitorët, pushuesit dhe për të gjithë ata që vijnë apo dalin nga Shqipëria, për qëllime të ndryshme. Njëkohësisht, vijon operacioni masiv nga shërbimet e Policisë Kufitare, për bllokimin e mjeteve lundruese dhe argëtuese në të gjithë vijën bregdetare, nga Ksamili në Velipojë, me qëllim verifikimin për dokumentacionin përkatës. Janë ndëshkuar me masa administrative nga 10 000 deri në 50 000 lekë të rinj, 11 drejtues të mjeteve të ndryshme lundruese, për shkelje të rregullave të daljes në det ose të perimetrit të sigurisë në plazhe.
Gjatë javës janë bllokuar 9 mjete lundruese: “Jet ski”, skafe të vogla dhe gomone, për mungesë të dokumentacionit. Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese janë ndëshkuar me masa administrative nga 10 000 deri në 200 000 mijë lekë të rinj. Gjatë kësaj jave janë kapur 7 shtetas në kërkim, nga të cilët 5 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar. Gjatë kësaj jave, shërbimet e Policisë Kufitare u kanë dhënë ndihmë në 7 raste, turistëve që gjendeshin në vështirësi të ndryshme.
Janë goditur 11 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Janë proceduar penalisht 8 shtetas për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 2 shtetas për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe 1 tjetër për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”. Policia e Shtetit do të intensifikojë masat dhe kontrollet, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet deri në përfundim të sezonit, rritjes së sigurisë në plazhe dhe në zonat turistike, duke ushtruar kontrolle intensive përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat e tjera turistike. Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke bashkëpunuar ngushtësisht me aleatin tonë kryesor, qytetarin, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.