Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin gjatë kësaj jave kryen 21 operacione policore, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e veprimtarive kriminale të armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve të zjarrit, kultivimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, si dhe krimeve kundër personit e pasurisë.
Sipas Policisë, gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 443 shtetas, nga këta 120 janë arrestuar, 298 janë proceduar penalisht dhe 25 janë shpallur në kërkim.
Po ashtu, janë kapur në total 27 persona në kërkim, 25 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 2 të tjerë në kërkim ndërkombëtar.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 6 raste dhe janë sekuestruar 8 armë zjarri, 1 snajper me dylbi, 2 armë gjahu, 2 mitralozë, 2 silenciatorë, 5 krehëra armësh, 11 granata, 5 thika dhe 1 dorezë metalike.
Gjithashtu, janë sekuestruar rreth 750 g kokainë, sasi lëndësh narkotike kanabis dhe heroinë, bimë dhe doza kanabisi, 4 automjete, 2 prej tyre të blinduara, 3 motomjete pa targa, 3 mjete identifikimi të falsifikuara, medikamente të ndryshme mjekësore, si dhe sasi ari të rremë dhe të pastër.
Janë goditur 9 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 42 raste të dhunës në familje.
Janë evidentuar dhe goditur 26 raste të krimeve mjedisore dhe 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 30 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 34 raste.
Janë evidentuar dhe goditur 7 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht autorët e dyshuar.
Gjatë kësaj jave janë pezulluar 556 leje drejtimi, nga të cilat: 474 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 45 për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 37 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë arrestuar 41 drejtues mjetesh, nga këta: 26 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 15 për drejtim mjeti, pa leje drejtimi, si dhe janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 6 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Janë vendosur 13 912 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Kufitare ka ndërmarrë angazhim maksimal për përballimin e fluksit të lartë në të gjitha pikat e kalimit kufitar për krijimin e lehtësirave ligjore në hyrje, në pikat e kontrollit kufitar, për turistët, vizitorët, pushuesit dhe për të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, për qëllime të ndryshme.
Njëkohësisht, vijon operacioni masiv nga shërbimet e Policisë Kufitare, për bllokimin e mjeteve lundruese dhe argëtuese në të gjithë vijën bregdetare, nga Ksamili në Velipojë, me qëllim verifikimin për dokumentacionin përkatës.
Sipas Policisë, janë ndëshkuar me masë administrative nga 50 000 deri në 200 000 lekë të rinj, 9 drejtues të mjeteve të ndryshme lundruese, për shkelje të rregullave të daljes në det ose të perimetrit të sigurisë në plazhe.
Gjatë javës janë bllokuar 9 mjete lundruese, “jet ski”, skafe të vogla dhe gomone, për mungesë të dokumentacionit. Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese janë ndëshkuar me masa administrative nga 10 000 deri në 200 000 mijë lekë të rinj, për manovra të rrezikshme për pushuesit, në plazhe, pranë perimetrit të sigurisë.
Policia informoi se, janë goditur 10 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe 3 raste të mitëdhënies.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 2 shtetas për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorrike” dhe 1 tjetër për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municioneve luftarake”.
Policia e Shtetit thekson se do të intensifikojë masat me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.