Prokuroria e Kurbinit ka nisur hetimin për akuzën e rrëmbimit të personit pas denoncimit të familjarëve të Ervis Martinajt të cilët thonë se prej më shumë tre ditësh nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.
Sipas News 24, dyshimet për rrëmbim janë referuar nga Policia e Lezhës. Në këtë mënyrë prokuroria ka mundësi të kryejë veprime hetimore, pasi në rastin e një të shumëkërkuari nuk ka largim nga banesa.
Në rastin konkret policia veç kallëzimit të xhaxhait Faik Martinaj nuk ka prova të tjera në lidhje me ngjarjen.
Por kush është Ervis Martinaj
Emri i tij është lakuar shpesh për ngjarje të ndryshme kriminale të ndodhura në vendin tonë. Ai ishte i pranishëm në vrasjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet ku mbeti i vrarë shoku i tij Fabiol Gaxha. Merviol Billo nxori armën duke qëlluar për vdekje në drejtim të Gaxhës, ndërkohë që i plagosur mbeti edhe vetë Martinaj.
Pak muaj më parë, emri i Martinajt doli në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani i cili u tha hetuesve se kishte marrë një porosi nga ana e tij për të vrarë Endrit Doklen në këmbim të një shume të majme që kapte vlerën e 500 mijë eurove.
Disa javë më parë, Martinajt i ekzekutuan kushëririn Brilant Martinaj në një atentat mafioz në mbikalimin e Fushë-Krujës. 22-vjeçari u vra bashkë me dy miqtë e tij Besmir Hoxhën dhe Diklen Vatën. Autorët qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të tyre, ndërsa automjeti ku po udhëtonin tre viktimat u shkrumbua nga flakët.