Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u priot sot në një takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa po zhvillon një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit të Kosovës, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike, agresionin rus në Ukrasinë dhe për thellimin e bashkëpunimit dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërinstitucionale ndërmjet dy vendeve.
“Kryetari Konjufca ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Shqipërisë ndaj Kosovës, si dhe në veçanti për mbështetjen gjatë kohës së luftës. Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Begaj e ka falënderuar kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe ka konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, për proceset e anëtarësimit të saj në BE, në NATO, si dhe në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.