Vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikohen nga destabiliteti për shkak të luftës në Ukrainë dhe gjithashtu ndasive të reja që kërcënojnë bllokun e 27 vendeve anëtare. Këtë e tha Presidenti slloven, Borut Pahor, në Forumin Strategjik të Bled.
“Sot, 30 vjet pas rënies së “perdes së hekurt”, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë, Europa përballet me mundësinë e ndasive të reja. Është gjithashtu e mundur që këto ndasi të reja në bllok të depërtojnë edhe në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është shqetësuese. E kam të vështirë të imagjinoj se nuk do të ketë rreziqe për sigurinë. Në këtë aspekt, Bosnje-Hercegovina duket të ketë rëndësi kyçe”, tha Presidenti i Sllovenisë.
Pahor kërkoi integrim të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian e NATO dhe tha se Brukseli duhet të bindë Serbinë të zgjedhë rrugën e BE-së në vend të aleancës me Kinën dhe Rusinë, lëvizje nga e cila do të përfitonin si Kosova, ashtu edhe Serbia: “Sa më shumë të zgjasë procesi i zgjerimit, aq më shumë këto vende janë shënjestër e aspiratave dhe ndikimit në rritje të Rusisë. Prandaj, Sllovenia po punon prej vitesh për një zgjerim të shpejtë të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor”.
Presidentja e Komisonit Europian, Ursula Von Der Leyen tha se progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit është ngadalësuar nga aktorët ndërkombëtarë, përfshirë Rusinë, e cila përpiqet të minojë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit: “E dimë se gjatë viteve të fundit progresi është ngadalësuar edhe për shkak të aktorëve ndërkombëtarë, përfshirë Rusinë, që duan të minojnë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit. Por, ne kemi interes të qartë dhe strategjik që të gjitha vendet e Ballkanit të avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, pasi stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit janë edhe stabiliteti e prosperiteti europian”.
Kritikët thanë se pritja e gjatë e këtyre shteteve i detyrohet kryesisht rezistencën mes shumë prej 27 vendeve anëtare për t’u zgjeruar më tej.