Nga Mero Baze/
Ish presidenti i Shqipërisë Ilir Meta mund të gjendet para veprës penale të falsifikimit të identitetit të tij. Është fjala për përdrimin e tij në kohë të ndryshme të dy emrave të tij, Ilir Meta dhe Ilir Metaj. Sipas një vendimi të Gjykatës së Lart të vitit 2012, ku Ilir Meta ishte i pandehur, ai është identifikuar hetuar dhe gjykuar me emrin Ilir Meta. Në një proces gjyqësor, ku ti deklaron identitetin tënd, ai verifikohet dhe me dokument ndihmës siç mund të ketë qenë një pasaportë ose Karta e Identitetit.
Normalisht i bie që Ilir Meta tu ketë paraqitur gjyqtarëve të Gjykatës pasaportën e tij me emrin Ilir Meta.
Deri më tanii nuk rezulton ndonjë vendim për ndryshimin e emrit të tij dhe pasaporta diplomatike që ai ka paraqitur mund të jetë prodhuar sipas të dhënave që ai ka vetdeklaruar në cilësinë e kryeministrit apo deputetit në vitet 90 kur nuk ishte shumë rregulla strikt për këtë çështje. Një skandal i tillë është bërë dhe me Fatmir Mediun i cili është pajisur për një periudhë të gjatë me një pasaportë diplomatike me emrin Fatmir Medihoxha ngaqë ishte në kërkim nga drejtësia italiane.
Të njëjtën gjë mund ta ketë bërë dhe Ilir Meta të cilin e përndiqte e shkuara e tij.
Por këtu problemi rëndohet nga ana juridike, pasi Ilir Meta ka firmosur dekrete dhe vendime të rëndësishme me këtë emër dhe ato mund të kthen në “nul” nëse ai nuk ka qenë emri zyrtar i tij. Nuk e kam fjalën që shkojnë dëm mijëra dekorata, por vendime të rëndësishme të shtetit shqiptar, pasi personi në fjalë ka qenë kryeministër, kryetar kuvendi, dhe president me këtë emër.
Kjo na bën të besojmë se ai ka pasur një dokument zyrtar me emrin Ilir Meta por që e ka pasur të paligjshëm. Dhe kjo e penalizon. Prokuroria duhet të hetoj për këtë regjistrin e gjendjes civile dhe të marrë kopje të dokumenteve të identifikimit që ky ka paraqitur me emrin ilir Meta, kur ka kandiduar për deputet apo kur ka filluar punë në institucionet më të larta të vendit, kudo ku i ka përdorur ato.
Në këtë situatë, nëse ai e ka pasur këtë identitet të rregullt, pra e ka ndryshuar emrin nga Ilir Meta në Ilir Metaj, ka shkelur ligjin e dekriminalizimit pasi nuk e ka deklaruar në formularë ndryshimin emrit, ndërkohë që pas vitit 2015 ka bërë plotësime formularësh me mbiemrin Metaj.
Por më e rënda do të jetë nëse ky ka përdorur mjet tjetër identifikues (me mbiemër Meta), që gjendet nëpër institucione ku ka drejtuar dhe ndërkohë nuk ka një kërkesë të tij plus vendim të organit kompetent për ndryshimin e mbiemrit. Atëherë situata e tij është edhe më e rëndë sepse i bie që ka krijuar dhe përdorur mjet identifikues të falsifikuar.
Ne e kuptojmë hallin e tij real që ka të bëj me problemin e së shkuarës së tij, por në këtë gjendje që është ai duhet të sqarojë se kë ligj ka shkelur, ligjin e dekriminalizmit duke mos deklaruar dy identitetet e tij, apo ligjin e falsfikimit të dokumenteve zyrtare, duke përdorur një identitet të rremë. Se në shtet nuk vlejnë pseudonimet e sigurimit. Ato janë vetëm për operativin.
Për më tepër që SPAK ka një dosje nën hetim për të dhe familjen e tij dhe nuk jemi të qartë nëse po e heton si Ilir Meta apo Ilir Metaj. Se mund të ndodh, që pasi të mbaroj hetimi dhe të konstatohet se Ilir Meta ka marrë financime të dyshimta nga një veprimtari korruptive që lidhet me një familjar të tij, ai mund të thotë “më falni por jam Ilir Metaj”. Kështu që SPAK, e ka që e ka në dorë atë dosjen, le të merret me themel dhe me vërtetimin e identitetit të tij. Që të mos shpëtoj për ndonjë gërmë në fund dhe në fund të thuhet që Ilir Met anuk egziston. Sic u tha për videon me zë dhe figurë.