Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur “ngushëllimet e tij të thella” pas vdekjes së Mikhail Gorbaçovit. Por të dy nuk janë parë gjithmonë sy më sy, me ish-udhëheqësin sovjetik që ishte një kritik i fortë i Putinit në Kremlin vitet e fundit.
Për Putinin, fundi i Bashkimit Sovjetik – të cilin e kryesoi Gorbaçovi – ishte një gabim tragjik. Duke folur për BBC në vitin 2013, Gorbachov tha se e mbështeti Putinin gjatë mandatit të tij të parë si president – më shumë se dy dekada më parë – por më pas “marrëdhëniet mes nesh u përkeqësuan”-theksoi ai. Ish-lideri sovjetik i cilësoi ligjet e reja të miratuara nga Putin si një “sulm ndaj të drejtave të qytetarëve”, duke thënë se lideri rus duhet të ndryshojë stilin e tij dhe “të mos ketë frikë nga populli i tij”.
Ai tha gjithashtu se rrethi i brendshëm i Putinit ishte plot me “hajdutë dhe zyrtarë të korruptuar”. Megjithatë, në vitin 2014, Gorbaçovi mbrojti aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Putin. Deklaratat e tij bënë që Ukraina t’ia ndalonte hyrjen në vend për pesë vjet. Në vitin 2016, Gorbaçovi u shpreh për të përditshmen britanike Sunday Times se ai do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë si Putini në një situatë të ngjashme.
Ai tha gjithashtu se mendonte se humbja e besimit mes Rusisë dhe Perëndimit ishte “katastrofike”. Në fund të vitit të kaluar – para nisjes së sulmit rus në Ukrainë – Gorbaçovi kritikoi “arrogancën” amerikane pas Luftës së Ftohtë si një arsye për tensione në Evropën Lindore. Pavarësisht përplasjeve të tyre, në 90 vjetorin e Gorbaçovit në mars 2021, presidenti Putin e vlerësoi atë si “një nga shtetarët më të shquar të kohëve moderne, i cili pati një ndikim të konsiderueshëm në historinë e kombit tonë dhe të botës”.
Gorbaçovi, i cili nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore kur filloi pushtimi, lëshoi një deklaratë përmes fondacionit të tij në ditët pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë, duke bërë thirrje për “ndërprerje të armiqësive dhe fillim të menjëhershëm të negociatave të paqes”, shkruan the Guardian.
“Nuk ka asgjë më të çmuar në botë se jeta e njerëzve”, thuhej në deklaratë. Një gazetar që kishte qëndruar pranë Gorbaçovit tha në korrik se ish-udhëheqësi sovjetik ishte “i mërzitur” nga ajo që pa. Ish-përkthyesi i Gorbaçovit, Pavel Palazhçenko, u shpreh dy ditë para sulmit rus në Ukrainë se ish lideri sovjetik gjithmonë paralajmëronte gjëra shumë të rrezikshme që mund të ndodhnin mes Rusisë dhe Ukrainës, por ai gjithmonë bënte gjithçka mundej për t’i afruar këto dy kombe. “Kështu që për të, emocionalisht, është shumë tragjike.”-u shpreh ish Palazhçenko. Gorbaçovi ishte gjithnjë e më i kujdesshëm për atë që thoshte për Putinin në publik. Por në vitin 2011, ai kishte një paralajmërim për atë që do të vinte. “Ndoshta është e kuptueshme që gjatë fazës fillestare ai përdori disa metoda autoritare në udhëheqjen e tij, por duke përdorur metoda autoritare si politikë për të ardhmen –mendoj se është e gabuar” u shpreh ai gjatë një vizite në SHBA.