Kryeministri Edi Rama reagoi sot në një postim në rrjetet sociale mbi mbështetjen nga ana e qeverisë të sportistëve elitarë.
“Si i bëhet kur s’duan t’ia dinë për faktet mbi çka është bërë, jo sot po prej kohësh tanimë për të mbështetur sportistët e kalibrit evropian?”, u shpreh Rama.
“Si i bëhet kur s’duan t’ia dinë as kur kampionia vetë thotë që gjithçka ka ndryshuar në mbështetje të saj?”, theksoi Rama.
“I bëhet si Luiza: Vrapo më shpejt!”, shkroi Rama.
Atletja Luiza Gega përfiton shpërblimin financiar prej 100 milionë lekë (të vjetra) nga qeveria, pas shpalljes kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Evropian të Atletikës që u mbajt në Mynih të Gjermanisë.
Ky shpërblim i akordohet sipas vendimit të qeverisë Nr. 789, datë 15.12.2021 për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre, që parashikon se, sportistët që thyejnë rekord evropian shpërblehen me shumën 60 milionë lekë (të vjetra). Ndërkohë, për ata që fitojnë vendin e parë në Kampionatin Evropian shuma që u akordohet është 40 milionë lekë (të vjetra).
Gjatë një ceremonie, Kryeministri Edi Rama i dhuroi Luiza Gegës Kordonin e Madh me Yllin për Mirënjohje Publike, ndërsa theksoi se “Gega i dhuroi vendit imazhin e një Shqipërie që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve”.