Kryeministri Rama mori pjesë sot në një takim me kryetarët e Bashkive të Shqipërisë, për të biseduar në lidhje me situatën e zjarreve në vend dhe mekanizimin e mbrojtjes civile.
Rama theksoi se situata e zjarreve është përkeqësuar në të gjithë Evropën, duke shënuar këtë vit një shifër rekord, që është sa dyfishi i rekordit të shënuar më parë.
“Të dhënat e marra nga njësia operacionale Europiane e Emergjencave flasin për jo vetëm një numër rekord zjarresh në rang Europe por për dyfishimin e numrit më të lartë të regjistruar më parë, si pasojë e rritjes shumë të lartë të temperaturave, me të cilat jemi të gjithë të familjarizuar si përshkallëzim i ngrohjes globale por edhe si pasojë e vendosjes së qëllimtë të zjarreve,” tha Kryeministri.
Kryeministri shtoi se kjo situatë në Shqipëri do të jetë një fenomen që kërkon të përballet në mënyrë të vijueshme, teksa një pjesë e mirë e bashkive janë të angazhuara me sezonin turistik.
Rama tha se ky sezon ka shënuar përmirësime shumë pozivite, edhe si rezultat i angazhimit të bashkive për pastrimin e vijës bregdetare.
Kryeministri theksoi se Himara ka qënë shembull në përmirësimin që ka dëshmuar: “Është shumë shembullore Himara, për çudinë time të madhe sepse ka qenë bashkia më problematike e vijës bregdetare dhe sic e kam kritikuar publikisht me shumë drejtpërdrejtësi kryetarin e bashkisë së Himarës, dua ta falenderoj publikisht sot, se nuk kam rrugë tjetër, por punë të jashtëzakonshme ka bërë Durrësi, punë, si gjithmonë, shembullore Lezha e me radhë të tjerët deri në Sarandë, ku situata është shumë më e mirë se çka qenë, pavarësisht edhe vështirësisë më të madhe që ka për shkak të dendësisë së madhe të gjithë zonës së banuar dhe numrit shumë të lartë të turistëve në një zonë shumë të ngushtë”.
Më tej, Rama tha se Shqipëria ka një sistem të konsoliduar të sistemit shëndetësor, ndërsa policia e shtetit është më e angazhuar se kurrë në sigurimin e sezonit në tërësi dhe megjithë problemeve të vogla me zhurmat, problematika madore mbeeten zjarret.
Për këtë, Kryeministri u bëri thirrje bashkive të veprojnë në mënyrë proaktive, pasi sa më i shpejtë reagimi aq më pak dëme shkaktohen.
Qeveria, sipas Kryeministrit e ka rritur vit pas viti mbështetjen për mbrojtjen civile, duke alokuar në këtë buxxhet 1 miliardë lekë për këtë sektor, por gjithashtu bashkitë duhet të vijojnë të investojnë në marrjen e masave parandaluese si për zjarret, ashtu edhe për përmbytjet e fatkeqësitë e tjera natyrore.
“Besoj që jemi të qartë për faktin që parandalimi një dhe reagimi i parë dy, janë drejtpërdrejt përgjegjësi të pushtetit vendor. Çështja e pushtetit të vullnetarëve është çështje e pushtetit vendor. E gjithë bota vepron me rrjetin e vullnetarëve kur vjen puna tek emergjencat civile. Ja ku është Italia fqinje që ka një sistem ekselence në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore ka rrjetin më të gjerë dhe më të shtrirë në thellësi të territorit të vullnetarëve dhe është e pa kuptueshme që ne të kemi bashki ku s’ka rrjet vullnetarësh dhe të kemi njësi administrative që nuk kanë në çdo fshat të paktën 5 palë sy për të bërë sinjalizimin e parë dhe për të bërë reagimin e parë”, tha Rama.
Në mbyllje Kryeministri bëri edhe njëherë thirrje për qeveritë vendore që të veprojnë menjëherë në raste emergjencash e më pas të presin ndihmën nga qeveria qendrore apo nga jashtë.
“Me vlerësimin më të madh për të gjithë ata që janë në gatishmëri sepse kanë strukturat dhe kanë gjetur një mënyrë funksionimi efikase, do ju lutesha shumë të tjerëve që të veprojnë. Nuk është shkencë, është thjesht një organizim dhe një organizim i shpejtë aty ku ka boshllëqe do të bëjë të mundur që të jemi të përgatitur në kohë.
Do të jemi shumë më të përgatitur në kohë dhe me 300 e kusur vatra zjarri dhe 300 helikopterë të kesh, edhe prap është problem se diku do dy dhe diku do tre dhe prandaj edhe superfuqitë nuk e bazojnë luftën me fatkeqësitë natyrore dhe me zjarret te numri i helikopterëve që kanë dhe prandaj dhe Bashkimi Europian ka ndërtuar një mekanizëm dhe Bashkimi Europian e ka bërë për vete, nuk e ka bërë për ne.
Franca dhe Gjermania e ka bërë për vete që në rast se bie zjarri t’i marrin helikopterin njëri tjetrit dhe faktikisht helikopterët që vijnë këtu janë pjesë e punës së bërë për tu përfshirë në këtë mekanizëm dhe respekti që kemi fituar se deri dje as nuk bëhej fjalë të merrje një helikopter nga Bashkimi Europian që të vinte këtu të shuante ndonjë zjarr ose donte aq ditë sa donte dhe zjarri për të bërë kërdinë. Sot është imediate kërkesa dhe vjen. Por nuk është çështje helikopterësh se këtu jemi dhe një vend ekspertësh.
Me numrin e ekspertëve që kemi, ne duhet të ishim jo në BE, po ne duhet të na jepnin gjithë seksionin e konsulencave që të asistonim gjithë BE-në për zgjidhje të menjëhershme, bile ekspertë pa lëvizur nga vendi,” përfundoi Kryeministri.