Aksi rrugor Lin-Pogradec konsiderohet një nga arteriet kombëtare me shumë rëndësi për turizmin në juglindje të vendit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga rruga e Pogradecit, një investim i qeverisë që përfshin një shëtitore mbi 16 kilometra përgjatë bregut të liqenit të Ohrit, e gjelbëruar në të dyja anët e saj, korsi për lëvizjen me biçikletë dhe rrugë të standardeve europiane.
“Mirëmëngjes dhe sidomos atyre që janë rrugës së Pogradecit sot”, tha Rama.
Pogradeci është një atraksion i përhershëm turistik ku me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, kulinarinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Rruga Lin-Pogradec, tuneli panoramik, pastrimi i njërit prej plazheve më të njohura të qytetit të Pogradecit, vijimi i unazës, ndërhyrjet për investimet në rrjetin energjetik dhe rrugën fantastike të Pogradecit që lidhet me Tushemishtin, janë disa nga investime të realizuara vitet e fundit nga qeveria në zbatimin e projekteve bashkëkohore moderne që kanë rivitalizuar qytetin e Pogradecit, jetën ekonomike, sociale dhe i kanë dhënë dimension të ri turizmit.