Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është gati ta mbështesë Ukrainën deri në fund.Në edicionin e 17-të të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, Rama u shpreh se, “nëse doni të flisni për lodhjen, rrezikun e lodhjes, duhet të kishit ftuar vendet e tjera këtu, jo ne, sepse besoj që sa më i pasur është vendi, aq më i lartë është rreziku për t’u lodhur”.
“Pra, në vend të Kroacisë duhet të kishit ftuar Gjermaninë, në vend të Islandës, ata janë të pasur, por kanë shumë akull, kështu që nuk lodhen kaq shpejt. Në vend të Shqipërisë duhet të kishit ftuar Italinë. Sllovenia duhet të ishte, sepse është organizatori. Kështu që po na duhet të flasim për të tjerët, sepse nuk mendoj se rreziku i lodhjes është i pranishëm në Shqipëri, apo në Kroaci, apo në Slloveni. Islanda është më vete. Sepse ne e kemi parë luftën gjatë jetës sonë dhe ne e dimë se ç’është ajo. Islanda nuk ka parë luftë dhe kurrë nuk do të shohë, sepse askush nuk do të shkojë atje”, tha Rama.“Kështu që unë besoj që po, ka një rrezik, një rrezik të madh. Kufiri i dhimbjes së rusëve, për shumë arsye, është shumë më i lartë. Ukrainasit janë vërtetë njerëz të fortë dhe kjo është diçka e mirë”, theksoi Rama.“Lajmi i mirë është që Ukraina nuk e ka humbur luftën. Rusia nuk e ka fituar luftën. Tani për tani. Kështu që për pjesën tjetër është e vështirë të parashikosh. Unë shpresoj dhe lutem fort që të pasurit dhe vendet e pasura do të vazhdojnë kështu dhe nuk do të dorëzohen. Por duke pasur parasysh faturat, duke pasur parasysh thirrjet, nuk e di”, nënvizoi Rama. Sepse, shtoi kreu i qeverisë, “në pjesën më të vjetër të BE, ata nuk kanë parë luftë, përveç se në Netflix, në dokumentarët bardhezi, kështu që për ta nuk jam i sigurt që ajo çka kanë mësuar nga historia dhe ajo çka u është thënë mbështetur në faktet historike është mjaftueshëm përkundrejt faturës së gazit, faturave të tjera”.
“Lexova sot që rritja ditore e shpenzimeve për familjet italiane për mallrat për të ngrënë është 5 euro. Italianët janë një vend mjaft tragjik kur vjen fjala për t’u përballur me sfidën e të ngrënit e të pirit e të zhvilluarit të dolce vita-s së tyre. Kështu që se sa opinionet publike në vendet e pasura do të jenë në gjendje të sakrifikojnë në një afat të gjatë, sepse nuk duket sikur do të jetë një luftë e shkurtër, kjo është diçka që mund ta thonë ata. Ose ndoshta në Slloveni, në Bled, keni nga ata që quhen parashikues të fatit. Mund t’i kishit ftuar ata me letra për të parë se çfarë do të bëjë mbreti, çfarë do të bëjë mbretëresha dhe çfarë do të bëjnë letrat e tjera”, theksoi Rama.
“Sa për Shqipërinë ne jemi thjesht asi i kupave. Jemi gati me zemër të mbështesim Ukrainën deri në fund. Gjithçka mund të bënim e kemi bërë, do vazhdojmë ta bëjmë, por nuk jam i sigurt që Shqipëria mund ta ndihmojë Ukrainën të fitojë luftën. Dyshoj për këtë”, tha Rama.