Rusia e di fort mirë që s’mund të instalojë bazë ushtarake ose inteligjence në Serbi, thotë eksperti serb i sigurisë, Orhan Dragash.
“Ata e panë edhe shumë mirë që Sergej Lavrov nuk mundi të vinte në Beograd”, thotë Dragash, “andaj edhe e mbajtën të fshehur deri ditën e fundit”.
Lajmërimin e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Boçan Kharçenko, për mundësinë e ndërtimit të një baze ushtarake në Serbi, njohësi i çështjeve të sigurisë e sheh si “presion rus”.
“Këtu kemi të bëjmë me presion rus mbi Serbinë çfarë ka ekzistuar me vite, dhe për shkak të agresionit kundër Ukrainës, po bëhet çdo ditë e më i madh, më i ekspozuar dhe më i egër”.
Krejt këto tregime, Dragash i sheh si pjesë “luftës hibride ruse”.
“Tregimi për baza ushtarake, vizita e dështuar e Lavrovit në Beograd, dhe veçanërisht aktivitetet ruse gjatë krizës së javës kaluar në Veri të Kosovës, janë dëshmi që Kremlini po kryen operacione të fuqishme hibride kundër Serbisë”, tha ai për “Danas”.
E tëra kjo, sipas Dragash me qëllimin që ta përdorë Serbinë për interesat e saj të luftës në Ukrainë, por edhe për konfliktin e saj me perëndimin.
Rusia përdor të gjitha resurset, thotë eksperti serb, që Serbia të mos përafrohet me NATO-n dhe BE-në.
“Që nga sulmi në Ukrainë, presioni rus mbi Serbinë është i zhveshur, por ata synojnë të hapin krizë të re për perëndimin ndaj të cilës ata do të mund të fokusoheshin dhe që të zvogëlojë përfshirjen e tyre në luftën në Ukrainë.
Për Rusinë, do të ishte ideale që të hapet një krizë e re në Ballkan, e sidomos që ajo të jetë e armatosur dhe e përgjakshme, dhe Kosova është ideale për këtë”, thotë ai.