Të paktën katër shpërthime janë raportuar gjatë natës në rajonin ukrainas të Krimesë afër aeroportit ushtarak të Belbekut, thanë burimet lokale. Ky aeroport gjendet në afërsi të Sevastopolit, në Krimenë e okupuar nga Rusia.
Administratori i vendosur nga Rusia në Sevastopol, Mikhail Razvozhayev, shkroi në Telegram në orët e vona të 18 gushtit se mbrojtja ajrore ka rrëzuar një dron ukrainas. Ai shtoi se shpërthimet nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm. Po të njëjtën ditë, një zyrtar rus në qytetin Kerç të Krimesë tha se mbrojtja ajrore është aktivizuar. Kerç gjendet në skajin më lindor të Krimesë dhe aty gjendet edhe ura e Krimesë, apo siç quhet Ura e Ngushticës së Kerçit.
Kjo urë ishte ndërtuar nga Rusia dhe aty kalon edhe linja hekurudhore që lidh gadishullin e okupuar ukrainas me territorin e Rusisë.
Ky zyrtar tha se “nuk ka rrezik për qyteti apo për urën”. Ndërtimi i urës së Krimesë përfundoi në maj të vitit 2018 dhe kishte kushtuar rreth 4 miliardë dollarë. Ky projekt kishte për qëllim të forconte pretendimet e Moskës në Krime dhe ura ishte inauguruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Caqet ushtarake ruse në Krime, që Moska e aneksoi paligjshëm më 2014, në ditët e fundit janë goditur nga shpërthime. Një depo e municionit rus në veri të Krimesë shpërtheu më 16 gusht, një incident që autoritetet ruse ia atribuan “sabotimit”.
Në të njëjtën ditë, një nënstacion elektrik në qarkun Zhankoi shpërtheu, edhe pse shkaku i këtij shpërthimi është ende i panjohur.
Ndërkaq, më 9 gusht baza ajrore Saki u godit nga shpërthime që shkatërruan të paktën nëntë avionë luftarakë rusë, përfshirë edhe avionë luftarakë të llojit Su-30SM dhe bombardues Su-24M.
Zyrtarët ukrainas publikisht nuk kanë marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por një zyrtar i paidentifikuar ukrainas ka thënë për New York Times se një njësi elite e ushtrisë ukrainase që po vepron prapa linjave të armikut është përgjegjëse për disa prej sulmeve.
Më 31 korrik, festimet për ditën e marinës ruse në Sevastopol u anuluan pas një sulmi me dron në selinë e Flotës ruse në Detin e Zi. Nga ky sulm u plagosën të paktën gjashtë persona.
Rusia, që nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ka paralajmëruar se për çdo sulm në Krime, do të kundërpërgjigjet ashpër./REL